Izraeli ka kryer sulme ajrore në mbarë Gazën, duke vrarë të paktën 18 persona gjatë natës të shtunës dhe gjatë të dielës, më 18 shkurt, thanë mjekët dhe dëshmitarët, përderisa Shtetet e Bashkuara paralajmëruan se do të vendosin veto në një draft-rezolutë të re në Kombet e Bashkuara që bën thirrje për armëpushim.

Aleati kryesor i Izraelit, Uashingtoni, tha se në vend të rezolutës favorizon më shumë që të arrihet një marrëveshje armëpushimi dhe lirim i pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – dhe ajo synon të arrihet një zgjidhje më të gjerë për konfliktin izraelito-palestinez.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ha hedhur poshtë kërkesat “absurde” të Hamasit dhe ka refuzuar thirrjet e SHBA-së dhe të faktorëve të tjerë ndërkombëtarë për një rrugë drejt shtetësisë palestineze.

Të dielën, kabineti i tij miratoi një deklaratë duke thënë se Izraeli në “mënyrë kategorike refuzon thirrjet ndërkombëtare për një marrëveshje të përhershme me palestinezët” dhe duke refuzuar njohjen e njëanshme të një shteti palestinez, i cili “do të ishte çmim i madh për terrorin” pas sulmit të 7 tetorit të Hamasit që nxiti luftën.

Kryeministri izraelit u zotua se do të vazhdojë ofensivën “deri në fitoren e plotë” ndaj Hamasit, dhe se do të zgjerojë luftën në qytezën e Rafahut, ku gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë palestinezësh janë strehuar nga luftimet në Gazë.

Izraeli gjatë natës kreu sulme në Rafah duke vrarë gjashtë persona, përfshirë një grua dhe tre fëmijë. Në një sulm tjetër në Han Junis u vranë pesë persona të tjerë.

Në Qytetin e Gazës nga një sulm ajror është shkatërruar një shtëpi duke lënë të vrarë shtatë persona, përfshirë tri gra, thanë familjarët e viktimave.

Ushtria izraelite rrallë komenton sulmet individuale dhe për viktimat civile ia lë fajin Hamasit, pasi thotë se grupi radikal operon brenda zonave të banuara dendur.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi kreu sulm në jug të Izraelit, duke vrarë 1.200 persona, shumica civilë, dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Hamasi ende mban afër 130 pengje, një e katërta e të cilëve besohet se kanë vdekur. Pjesa tjetër e pengjeve u liruan gjatë një armëpushimi njëjavor nëntorin e vitit të kaluar.

Ofensiva izraelite ka vrarë të paktën 28.985 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Ky institucion, që nuk bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve të vrarë, tha më 18 shkurt se në këtë numër përfshihen edhe 127 trupat e pajetë që u dërguan në spitale në 24 orët e fundit./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: