Ushtria izraelite njoftoi se përpara se të nisë një ofensive të re për të vënë nën kontroll veriun e Qytetit të Gazës do të zhvendosë palestinezët që jetojnë atje në jug të Rripit të Gazës.

Agjencia ushtarake izraelite Cogat, e cila është përgjegjëse për çështjet civile në territoret palestineze, njoftoi se dërgimi i çadrave dhe i shatoreve në jug të Rripit të Gazës do të rifillojë gjatë të dielës së sotme (17.08.).

Cogat tha se pajisjet e strehimit do të transportohen në Gazë përmes pikës kufitare Kerem Shalom nga Kombet e Bashkuara dhe organizatat ndërkombëtare të ndihmës pas inspektimit nga personeli i Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit.

Ushtria izraelite nuk e specifikoi se kur do të fillojë zhvendosja e palestinezëve. Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se “tani jemi në fazën e diskutimeve për të finalizuar planin për të mposhtur Hamasin në Gazë”. Forcat izraelite kanë shtuar operacionet në periferi të qytetit të Gazës, përfshirë edhe zonat Zeitoun dhe Shejaiya.

Netanjahu: Zhvendosje në “zona të sigurta”

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tha se palestinezët do të zhvendosen në vende që ai i quajti si “zona të sigurta”. Ai gjithashtu tha se Qyteti i Gazës është bastioni i fundit të grupit militant Hamas.

Qyteti i Gazës ishte qendra urbane më e populluar e enklavës palestineze deri në momentin që shumica e popullsisë së tij u zhvendos gjatë ofensivës së Izraelit.

Grevë e përgjithshme

Gjatë të shtunës në Izrael pati sërish demostrata, ku u kërkua një marrëveshje që çon në përfundimin e luftës dhe lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura dhe që qeveria izraelite të mos pushtojë më asnjë territor në Rripin e Gazës. Për sot një grup që përfaqëson familjet e pengjeve që mbahen në Gazë, bëri thirrje për grevë të përgjithshme .

Gjatë sulmeve të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor 2023 u morën peng rreth 251 vetë. Sipas autoriteteve izraelite 20 nga 50 pengjet e mbetura në Gazë janë ende gjallë. Prej sulmeve të Hamasit u vranë rreth 1,200 vetë, shumica e tyre civilë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, e cila drejtohet nga Hamasi, gjatë ofensivës së Izraelit në Gazë, e cila nisi pas sulmeve të Hamasit, janë vrarë mbi 61.000 palestinezë. Por sipas hulumtimeve të pavarura numri i të vdekurve mund të jetë shumë më i lartë./ DW

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb