Ushtria izraelite ka njoftuar thirrjen e rreth 60,000 rezervistëve, në kuadër të përgatitjeve për një ofensivë të re tokësore me synimin për të marrë kontrollin e plotë të qytetit të Gazës.
Një zyrtar ushtarak konfirmoi se rezervistët do të paraqiten për detyrë në shtator, ndërsa pjesa më e madhe e trupave që do të përfshihen në operacion do të jenë ushtarë aktivë. Zyrtari tha gjithashtu se forcat izraelite kanë filluar veprimet përgatitore në lagjet Zeitoun dhe Jabalia, në kuadër të ofensivës së planifikuar që ka marrë miratimin e Ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz, dhe pritet të paraqitet për shqyrtim në kabinetin e sigurisë këtë javë.
Ndërkohë, qindra mijëra civilë palestinezë që ndodhen ende në qytetin e Gazës pritet të marrin urdhër për evakuim drejt jugut të territorit, ku po vendosen strehimore të përkohshme.
Plani ka hasur në kritika të ashpra nga aleatët ndërkombëtarë të Izraelit dhe organizata të shumta humanitare, përfshirë OKB-në, të cilat kanë paralajmëruar se një ofensivë tjetër do të përkeqësonte ndjeshëm situatën humanitare në territor, pas 22 muajsh lufte të përgjakshme.
Qeveria izraelite bëri të qartë synimin për të pushtuar të gjithë Rripin e Gazës pasi bisedimet indirekte për një armëpushim dhe shkëmbim pengjesh me Hamasin dështuan muajin e kaluar. Megjithatë, ndërmjetësit rajonalë kanë propozuar një marrëveshje të re që përfshin një armëpushim 60-ditor dhe lirimin e rreth gjysmës së 50 pengjeve që besohet se ndodhen ende në Gaza. Hamasi tha se e ka pranuar këtë propozim të hënën, por Izraeli nuk ka dhënë ende një përgjigje zyrtare, duke këmbëngulur në një marrëveshje të plotë që përfshin lirimin e të gjithë pengjeve – vetëm 20 prej të cilëve besohet se janë ende gjallë.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) konfirmuan se urdhrat për thirrjen e rezervistëve u lëshuan të mërkurën si pjesë e fazës së re të Operacionit “Qerrat e Gideonit”. Gjithashtu, 20,000 rezervistë që janë aktualisht në shërbim do të qëndrojnë më gjatë, pasi urdhrat e tyre janë zgjatur.
Sipas IDF-së, pesë divizione do të marrin pjesë në ofensivë, e cila do të jetë “graduale dhe e saktë”, me planet që pritet të finalizohen nga shefi i shtabit, gjenerallejtënant Eyal Zamir, në ditët në vijim.
