Fushata ushtarake e Izraelir në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara kundër Iranit po përparon sipas planit dhe madje me një ritëm më të shpejtë nga sa ishte parashikuar fillimisht. Kështu kanë deklaruar zyrtarë ushtarakë izraelitë për median The Times of Israel.
Sipas burimeve ushtarake, në ditët në vijim pritet një intensifikim i sulmeve ndaj industrisë mbrojtëse iraniane, ndërsa operacionet do të vazhdojnë paralelisht me përpjekjet për të reduktuar sulmet me raketa ndaj Izraelit.
Edhe pse operacionet po zhvillohen më shpejt se sa pritej, ushtria izraelite po përgatitet për të paktën tre javë të tjera luftimesh, pasi ende ekzistojnë mijëra objektiva për t’u goditur në territorin iranian, përfshirë edhe në Teheran.
Zëdhënësja e IDF-së, gjeneral brigade Effie Defrin, deklaroi për CNN se ushtria izraelite ka një plan të qartë për fazat e ardhshme të operacioneve.
“Kemi mijëra objektiva përpara nesh. Jemi të përgatitur, në koordinim me aleatët tanë amerikanë, me plane që shtrihen të paktën deri në festën hebraike të Pashkës dhe edhe për disa javë të tjera pas saj”, tha ajo.
Industria mbrojtëse e Iranit në fokus
Pas nisjes së sulmeve më 28 shkurt – të cilat sipas burimeve izraelite rezultuan në vdekjen e liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei, dhe më shumë se 40 zyrtarëve të lartë iranianë – operacionet janë përqendruar fillimisht në lëshuesit e raketave balistike dhe sistemet e mbrojtjes ajrore.
Tani, sipas zyrtarëve izraelitë, objektivi kryesor është dobësimi sistematik i industrisë së mbrojtjes së Iranit, duke përfshirë kapacitetet për prodhimin e raketave balistike, sistemet e mbrojtjes ajrore, armët detare dhe madje edhe teknologjitë satelitore.
Zyrtarët ushtarakë theksojnë gjithashtu se fushata aktuale është shumë më e gjerë se konflikti 12-ditor i vitit të kaluar mes dy vendeve. Në atë periudhë, Izraeli synonte kryesisht të frenonte zhvillimin e programit bërthamor dhe prodhimin e raketave balistike nga Irani.
Në operacionin aktual, sipas IDF-së, synimi është jo vetëm neutralizimi i kërcënimit bërthamor, por edhe dobësimi afatgjatë i kapaciteteve strategjike ushtarake të Iranit që konsiderohen kërcënim për sigurinë e Izraelit.
