Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka përsëritur qëndrimin kundërshtues të presidentit amerikan Donald Trump ndaj çdo përpjekjeje për aneksimin e Bregut Perëndimor nga Izraeli, pas njoftimit të planeve të reja izraelite që pritet të hapin rrugën për zgjerimin e vendbanimeve në territorin e pushtuar palestinez.
Masat, të miratuara të dielën nga kabineti i sigurisë i Izraelit, parashikojnë lejimin e izraelitëve hebrenj për të blerë drejtpërdrejt tokë në Bregun Perëndimor, si dhe zgjerimin e kontrollit izraelit mbi zona ku aktualisht Autoriteti Palestinez ushtron pushtet të kufizuar. Ende nuk është e qartë se kur këto masa do të hyjnë në fuqi, por ato nuk kërkojnë miratim të mëtejshëm.
Ndërsa vendet e rajonit dhe aktorë ndërkombëtarë e dënuan planin, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë deklaroi të hënën se “një Breg Perëndimor i qëndrueshëm e mban Izraelin të sigurt dhe është në përputhje me qëllimin e kësaj administrate për të arritur paqen në rajon”.
Aktualisht, më shumë se 500 mijë izraelitë jetojnë në vendbanime dhe postblloqe në Bregun Perëndimor, të cilat konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, ndërsa rreth tre milionë palestinezë banojnë në këtë territor.
Mbretëria e Bashkuar i bëri thirrje Izraelit të tërhiqte vendimin, duke dënuar ashpër zgjerimin e kontrollit izraelit mbi Bregun Perëndimor. “Çdo përpjekje e njëanshme për të ndryshuar përbërjen gjeografike ose demografike të Palestinës është tërësisht e papranueshme dhe bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare,” thuhet në deklaratën britanike.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pritet të takohet me Donald Trump në Shtetet e Bashkuara të mërkurën, ndërsa çështja e Bregut Perëndimor mbetet një nga temat më të ndjeshme të agjendës diplomatike.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, shprehu “shqetësim të thellë” për masat e reja, duke paralajmëruar se ato po “shkatërrojnë perspektivat për zgjidhjen me dy shtete”. Ai i cilësoi veprimet izraelite si destabilizuese dhe rikujtoi vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas të cilit pushtimi i territorit palestinez është i paligjshëm.
Një deklaratë e përbashkët e Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Jordanisë, Katarit, Indonezisë, Pakistanit, Egjiptit dhe Turqisë dënoi “në termat më të ashpra” masat izraelite, duke i cilësuar si përpjekje për imponimin e sovranitetit të paligjshëm izraelit.
Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, tha se ndryshimet synojnë “thellimin e rrënjëve tona në të gjitha rajonet e Tokës së Izraelit dhe varrosjen e idesë së një shteti palestinez”.
Sipas vendimeve të kabinetit të sigurisë, Izraeli do të shfuqizojë një ligj të vjetër që daton nga periudha e kontrollit jordanez para vitit 1967, duke bërë publike regjistrat e tokës dhe duke hequr kërkesën për leje nga administrata civile. Këto ndryshime pritet të lehtësojnë blerjen e tokës nga hebrenjtë në Bregun Perëndimor.
Masat përfshijnë gjithashtu transferimin e autoritetit mbi lejet e ndërtimit në qytetin palestinez të Hebronit nga Autoriteti Palestinez te Izraeli, si dhe rritjen e kontrollit izraelit mbi dy vende të rëndësishme fetare: Varrin e Rakelës pranë Betlehemit dhe Shpellën e Patriarkëve në Hebron.
Presidenca palestineze në Ramallah reagoi duke deklaruar se këto masa synojnë “thellimin e përpjekjeve për aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar”.
