Autoritetet izraelite publikuan sot një listë prej 250 të burgosurish palestinezë që do të lirohen në këmbim të pengjeve që mbahen në Gaza.
Lista e të burgosurve, e cila u publikua në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë së Izraelit, nuk përfshin asnjë nga figurat kryesore të luftës së armatosur palestineze kundër Izraelit, emrat e të cilëve ishin dërguar nga lëvizja islamiste ndërmjetësuesve me shpresën se do të përfshiheshin në lirimin e mundshëm.
Kështu, në listë mungojnë emra si Maruan Barghouti, Ahmad Sa’adat, Hassan Salameh dhe Abbas al-Sayyid, të cilët janë dënuar me burgim të përjetshëm të sulmeve vdekjeprurëse kundër izraelitëve.
Izraeli dhe Hamasi kanë dhënë miratimin për fazën e parë të një plani me 20 pika të propozuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, me synimin për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
Në këtë kuadër, armëpushimi hyri në fuqi mesditën e sotme dhe ushtria izraelite njoftoi se është tërhequr sot në vijat e dakorduara brenda Rripit të Gazës.
Sipas kushteve të planit Trump, brenda 72 orëve nga hyrja në fuqi e armëpushimit, Hamasi duhet të lirojë 47 pengje që u rrëmbyen më 7 tetor 2023 gjatë sulmit të tyre që shkaktoi luftën, si dhe trupin e një ushtari izraelit të vrarë në vitin 2014 gjatë një lufte të mëparshme në Gaza.
