Tel Avivi po shqyrton një propozim të drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) të SHBA-së, William Burns, për lirimin e 900 të burgosurve palestinezë në këmbim të 40 pengjeve izraelite të mbajtur robër nga Hamasi, me kusht që ata të deportohen në një vend tjetër dhe të mos lejohen të kthehen në shtëpinë e tyre në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

“Një propozim i drejtorit të CIA-s do të çonte në lirimin e 40 pengjeve nga Hamasi, me Izraelin të lirojë 900 të burgosur palestinezë, 100 prej të cilëve janë duke vuajtur dënimin e përjetshëm”, thanë zyrtarët izraelitë të paidentifikuar për faqen e lajmeve Walla.

Zyrtarët theksuan se Izraeli synon “t’i dëbojë të burgosurit e liruar jashtë shtetit në vend që t’i lejojë ata në Bregun Perëndimor ose Gaza dhe kërkon një veto për të burgosurit specifikë të liruar”.

Deri më tani nuk ka pasur komente nga palët për raportimet e faqes së lajmeve në lidhje me kushtet izraelite.

Hamasi, i cili besohet se mban peng pothuajse 130 izraelitë, kërkon fundin e ofensivës së vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës në këmbim të çdo marrëveshjeje pengjesh me Tel Avivin.

Një marrëveshje e mëparshme në nëntor të vitit 2023 çoi në lirimin e 81 izraelitëve dhe 24 të huajve në këmbim të 240 palestinezëve, përfshirë 71 gra dhe 169 fëmijë.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse ndaj Rripit të Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga Hamasi kur sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz. Që atëherë, të paktën 33.300 palestinezë janë vrarë në territorin palestinez dhe rreth 76 mijë të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: