Mediat palestineze raportuan se të paktën nëntë persona u vranë gjatë sulmeve izraelite në Rripin e Gazës gjatë natës, përfshirë gjashtë persona në pjesën veriore të territorit.
Sipas ushtrisë izraelite, trupat e saj iu përgjigjën zjarrit nga persona të armatosur që kishin sulmuar forcat izraelite në zonë. Lajmi u raportua nga gazeta “Times of Israel”.
Në lagjen Tuffah, në lindje të qytetit të Gazës, tre persona humbën jetën nga një sulm artilerie, mes tyre dy të mitur, përkatësisht të moshës 16 dhe 12 vjeç. Ndërkohë, në lagjen Zeitoun të Qytetit të Gazës, tre persona të tjerë u vranë si pasojë e granatimeve, përfshirë edhe një foshnjë pesëmuajshe.
Sipas mediave palestineze, tre viktima të tjera u raportuan nga një sulm në Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës.
Situata në Gaza mbetet e tensionuar, ndërsa përplasjet dhe sulmet vazhdojnë në disa zona të territorit.
