Ushtria dhe Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) ka njoftuar se ka përfunduar një valë sulmesh në shkallë të gjerë që synonin infrastrukturën e regjimit në Teheran.
Sipas një deklarate të publikuar nga IDF në Telegram, operacioni kishte në shënjestër objekte strategjike, megjithëse nuk janë dhënë detaje të plota mbi dëmet apo viktimat në territorin iranian.
Ndërkohë, ushtria izraelite bëri të ditur se një dron i forcave ajrore të saj është rrëzuar nga një raketë në Libani jugor gjatë natës. Autoritetet thanë se incidenti është ende nën hetim.
Në Bejrut, pasojë e sulmeve ajrore izraelite, raportohen dëme të konsiderueshme. Pamjet nga terreni tregojnë automjete të djegura dhe ndërhyrjen e shërbimeve të emergjencës për të shuar flakët.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, të paktën shtatë persona kanë humbur jetën dhe 24 të tjerë janë plagosur.
IDF deklaroi se kishte në shënjestër infrastrukturë ushtarake në Liban, ku operon grupi militant Hezbollah, i mbështetur nga Irani. Më tej, ushtria izraelite pretendoi se në dy sulme të ndara janë goditur një komandant i lartë i Hezbollahut dhe një tjetër anëtar i rëndësishëm i grupit.
