Ushtria e Israel njoftoi sot se ka zgjeruar operacionet tokësore kundër Hezbollahut në zona të reja të Libanit jugor, dy ditë pasi konfirmoi kalimin e forcave izraelite përtej lumit Litani.
Në një deklaratë të publikuar nga ushtria izraelite, thuhet se trupat kanë kaluar lumin Litani dhe po zgjerojnë operacionet kundër objektivave të Hezbollahut në veri të tij. Sipas autoriteteve ushtarake, ofensiva po shtrihet në zona të tjera strategjike me qëllim goditjen e kërcënimeve që, sipas Izraelit, vijnë nga territori libanez.
Më herët, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se forcat izraelite kishin kaluar lumin Litani, rreth 30 kilometra në veri të kufirit mes Libanit dhe Izraelit, duke avancuar drejt pozicioneve që konsiderohen me rëndësi strategjike.
Sipas ushtrisë izraelite, operacionet janë përqendruar në zonat e Beaufort Ridge dhe Wadi al-Saluqi, ku një numër i madh trupash po zhvillojnë veprime sulmuese për të zgjeruar vijën mbrojtëse dhe për të forcuar kontrollin operacional në Libanin jugor.
Autoritetet izraelite argumentojnë se qëllimi i ofensivës është eliminimi i kërcënimeve të menjëhershme ndaj komuniteteve në veri të Izraelit, përfshirë zonat e Galilesë dhe Metula, pranë kufirit me Libanin.
