Policia greke ka peshuar sasinë e drogës se kapur dje në 6 të mëngjesit (ora lokale) në ishullin e Kithiron. Në jahtin luksoz janë gjetur dhe sekuestruar 84 pako të mëdha me pak më shumë se 1.8 ton marijuanë.

Sipas gazetares Shpresa Dine, kontrolli në GPS e mjetit lundrues ka zbuluar se ai ishte nisur nga Napoli dhe ishte ngarkuar në brigjet e Shqipërisë me drogë, për t’iu drejtuar më pas për në Greqi.

Enigmë mbetet fakti nëse destinacion ishte shteti grek apo Turqia, pasi drejtimi për në Egje e bën më enigmatike linjën e trafikut.

Kapiteni italian i jahtit ka treguar për policinë greke se jahti ishte marrë me qira nga një doktor italian, por pa treguar ndonjë dokument që ta vërtetonte këtë gjë. Ai tha gjithashtu se për transportin do të paguhej me 50.000 euro, dhe se më parë ishte dënuar në Itali për pjesëmarrje në grabitje me armë.

Ndërkohë deri mbrëmë vonë, policia greke nuk dha detaje për bashkëpunëtorin shqiptar, të arrestuar gjithashtu. Burimet bëjnë të ditur se dy trafikantët prisnin direktiva të tjera përmes telefonit për vendin e shkarkimit të drogës, nga bashkëpunëtorët e tyre, ende të paidentifikuar.

Policia greke vijon kontrollet e imtësishme në jaht. Policia zbulon një armë zjarri tip Kallashnikov me një krehër me 20 fishekë dhe 1thikë 32.5 cm. Kallashnikovi ishte futur në një nga pakot e mëdha që përmbante drogë. Sasia totale e drogës rezultoi pas peshimit 1 ton e 831 kg e 500 gramë. Arrestohen një shqiptar dhe një italian, të cilët u transferuan në Pire, ku do të dalin para prokurorit më datë 16.08.2017.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: