Në një takim me qytetarët e Vlorës, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë deklarata të forta kundër kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si “tradhtar” dhe duke u zotuar se do ta “largojë nga Shqipëria për ta çuar në Beograd”.
Berisha tha se Rama është i izoluar ndërkombëtarisht dhe e akuzoi për përpjekje për të shuar opozitën dhe për ta kthyer vendin në një narko-shtet. Ai theksoi se çdo shqiptar duhet të qëndrojë në anën e drejtë të historisë, duke e përfunduar fjalën me thirrjet “Rroftë Vlora, rroftë Shqipëria!”.
Kreu i PD Sali Berisha në Vlorë: Çdo shqiptar duhet të qëndrojë në anën e drejtë të historisë. Rama është në rreth të kuq nga vendet e lira, ai u përpoq të zhdukë opozitën, u përpoq për një Shqipëri pa opozitë. Është damkosur më keq se Lukashenko në Europë. Katër rezoluta ndërkombëtare e shpallin Shqipërinë narko-shtet, e shpallin shtetin e Ramës sipërmarrje të përbashkët me krimin, shpallin drejtësinë e Edi Ramës të ndikuar nga politika.
Kur erdha në Vlorë, unë jam betuar përpara Ismail Qemalit, se këtë tradhtar, Ramën do ta çoj në Beograd. Edi Rama, je në rreth të kuq, fundi të pret. Rama, nuk mund të luan dot ti me lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve, rroftë Vlora, rroftë Shqipëria.
(d.xh-Balkanweb)
