Anëtari i Kryesisë së PD, Ervin Salianji u shpreh në “Kjo Javë” se një pjesë e drejtuesve dhe strukturave të PD, nuk i përgjigjen ritmit të lidershipit demokrat, Sali Berisha.
Salianji tha se është në komunikim të vazhdueshëm me Berishën, ndërsa shtoi se partia duhet t’i nënshtrohet ripërtëritjes për të ndryshuar qasjen e funksionimit të strukturave dhe mënyrës së komunikimit me publikun.
Gjithashtu, ish-deputeti demokrat vërejti se “në PD nuk ka rivalitet aq sa duhet të ketë”. “Rivalitetet, konkurrencat, përplasjet, xhelozitë që janë normale në politikë nuk janë aq sa duhet. Si një ekip futbolli ku secili duhet të stërvitet sa më shumë për të kapur vendin në formacion. Vetëm në këtë formë ekipi bëhet më i fortë dhe del kampion”, tha Salianji.
Nisida Tufa: E takoni zotin Berisha? Zhvilloni bisedime me të?
Ervin Salianji: Padiskutim, kam komunikim të vazhdueshëm me zotin Berisha. Duhet të ketë më shumë konkurrencë e rivalitet në PD, për të treguar që garohet qoftë për performancën publike, qoftë për kontaktet me qytetarët. Pra, është një perceptim që është afër të vërtetës që edhe gjatë fushatës elektorale ka qenë kështu që, zoti Berisha ka qenë në distancë në shumë aktivitete, përpjekje dhe beteja se sa po themi, jo të gjithë – dikush më pak, dikush më shumë – por ka patur një lloj apatie në një pjesë të caktuar të drejtuesve apo strukturave të partisë për të ndjekur ritmin e kryetarit të partisë. Nëse do të thosha ndryshe do të isha i pavërtetë. Kjo është pranuar dhe zoti Berisha e ka thënë me një term të fortë mendoj unë, por që besoj se në këtë drejtim duhet të jetë më i shpejtë hapi i PD-së që duhet të ecë, drejt ripërtëritjes së PD dhe një lloj formatimi ndryshe të PD-së, qoftë në pjesën e strukturave, qoftë në pjesën e njerëzve që komunikojnë me publikun.
