Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se ka lënë udhëzime të qarta për mënyrën se si duhet të reagojë SHBA-ja në rast se Irani arrin të realizojë një atentat ndaj tij, duke paralajmëruar Teheranin me pasoja të rënda.
Në një intervistë për New York Post, Trump tha se ka qenë prej kohësh në shënjestër të autoriteteve iraniane dhe se administrata amerikane është e përgatitur për çdo skenar.
“Jam në listën e tyre prej shumë kohësh. Kjo është ajo me të cilën përballemi”, u shpreh presidenti amerikan.
Ai zbuloi se ka lënë urdhra të drejtpërdrejtë për reagimin e SHBA-së nëse do të ndodhte një atentat ndaj tij.
“Kam lënë urdhra që, nëse ndodh diçka, thjesht t’i bombardojnë, fjalë për fjalë, në një nivel që nuk e kanë parë kurrë më parë”, deklaroi Trump.
Komentet e tij vijnë pas raportimeve se Izraeli ka ndarë me Shtetet e Bashkuara informacione të inteligjencës që lidhen me një plan të dyshuar iranian për atentat ndaj presidentit amerikan.
Sipas një raporti ekskluziv të “Wall Street Journal”, shërbimi sekret izraelit Mossad ka informuar agjencitë amerikane të inteligjencës për një plan të ri iranian që synon eliminimin e Donald Trump.
Megjithatë, Trump la të kuptohet se nuk beson se bëhet fjalë për një kërcënim të ri, duke theksuar se, sipas tij, Irani e ka pasur prej vitesh në shënjestër.
Deklaratat e presidentit amerikan pritet të shtojnë më tej tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit, në një kohë kur marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten tejet të acaruara.
