Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka lëshuar akuza në drejtim të SPAK gjatë seancës së sotme gjyqësore në GJKKO. Në dëshminë e tij të zbardhur brenda sallës së gjyqit, Meta u shfaq i revoltuar, duke e cilësuar procesin ndaj tij si tërësisht të politizuar dhe të bazuar në manipulime.

Meta akuzoi prokurorët se kanë mbajtur të fshehura letërporositë e ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që saktësonin faturat e lobimit me “McKeon Group”, ndërsa u ndal sërish te mënyra se si u arrestua më 21 tetor, duke e quajtur një “rrëmbim zyrtar”.

Ish-Presidenti deklaroi para trupit gjykues se është mashtruar me shifrat e lobimit në SHBA, duke tentuar të krijojnë një skandal për llogari të opinionit publik.

“Jam shumë i revoltuar të nderuar gjyqtarë e prokurorë, sepse veç shumë gënjeshtrave të përsëritura, dëgjova një gjë shokuese. Unë jam rrëmbyer më 21 tetor në orën 12:08 minuta nga persona të panjohur dhe vetëm në orën 14:06 më u komunikua urdhri i prokurorëve të SPAK. Që kur jam pyetur për këtë çështje e kam bërë të qartë se kemi pasur veç një pagesë 15 mijë USD, me vendim kryesie dhe me bankë. Në shtator morën një letërporosi për ‘McKeon’ sikur janë bërë takime e pagesa të jashtëligjshme. Por pasi unë arrestohem, më 15 nëntor ka ardhur përgjigje tjetër nga SHBA, një saktësim! Zotërinjtë jo vetëm nuk ma bënë të ditur, por e mbajtën fshehur dhe në janar më pyetën prapë për të njëjtën gjë,” deklaroi Meta.

Duke u ndalur te dokumentet e lobimit të regjistruara në SHBA nën logon e FARA (Foreign Agents Registration Act), Meta sqaroi se ato nuk përbëjnë prova penalizuese dhe se emri i tij nuk figuron në asnjë kontratë.

“FARA është thjesht një portal ku mijëra kompani publikojnë të dhëna për transparencë, por nuk është as gjykatë, as prokurori. Nuk ekziston në marrëveshjen me GSIS asnjë nënshkrim i Ilir Metës! Marrëveshja është mes LSI-së dhe GSIS. Ju zoti Kllapi e dinit që në fillim që janë paguar veç 15 mijë dollarë. Ju erdhi tjetër gjë në shtator e tjetër në nëntor, e mbajtët fshehur dhe më pyetët sërish në janar. Ka një tendencë të qartë për politizim të procesit. Kur s’ke fakte, do e bësh politike!”

Më tej, Ilir Meta akuzoi prokurorët se kanë fshehur dëshmi kyçe të dhëna vite më parë që rrëzonin akuzat aktuale, duke u ndalur edhe te ndarja e përgjegjësive me ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi.

“Prokuroria ka fshehur dëshminë e dhënë tek Ndini Tavani në vitin 2011 nga Hejsek, ku e bën të qartë që s’i kujtohej emri konkret. Edhe ajo çështja me 200 mijë euro bëhet vetëm për manipulim të opinioni publik, nuk ka asnjë përgjigje. Po ashtu, duhet të sqaroj se kreu i AKEP zgjidhet nga Kuvendi dhe Kryeministri, që ka qenë Edi Rama. Nuk e propozojnë partitë politike. Unë jam këtu për të mbajtur përgjegjësi për çdo veprim timin individual, nuk jam as për të marrë e as për të dhënë. Unë mbaj përgjegjësi për të miat, znj. Kryemadhi nuk ka pse mban përgjegjësi për CEZ-DIA,” përfundoi Meta para trupës së GJKKO-së.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb