Me argumentin e “gjendjes shëndetësore”, Gjykata e Posaçme shfuqizoi masat e sigurisë “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim për të dalë jashtë vendit” për Ajola Xoxën, bashkëshorte e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, të cilët po gjykohen bashkë me 28 të pandehur të tjerë për korrupsion, pastrim parash e fshehje të pasurisë.
Në seancën ku vetë Xoxa nuk ishte e pranishme, avokatët Maksim Haxhiaj dhe Dritan Jahaj argumentuan se për shkak të shtatzënisë mjekët e kanë këshilluar të mbrojturën prej tyre që të mos lëvizë, e për këtë arsye e ka të pamundur paraqitjen para oficerëve të BKH-së. Për të bindur gjykatën për gjendjes e saj, mbrojtësit paraqiten dhe dokumentet gjyqësore si dhe këmbëngulën në faktin se nuk ka më asnjë rrezik që ajo t’i shmanget drejtësisë, pasi gjatë kohës që ishte nën këto masa sigurie, i ka zbatuar me përpikëri.
Gjykata pasi e shqyrtoi kërkesën e pranoi atë, cka do të thotë se Ajola Xoxa do të gjykohet për akuzat penale pa ndonjë masë sigurie, ndryshe nga bashkëshorti i saj, Erion Veliaj që mbahet në paraburgim prej 10 shkurtit të vitit të kaluar.
Erion Veliaj dhe Xoxa akuzohen për një skemë komplekse pastrimit parash, ku biznesmenë që fitonin leje ndërtimi në Bashkinë e Tiranës injektonin para ryshfeti në kompanitë e kontrolluara në mënyrë direkte apo të tërthortë nga bashkëshortja e kryebashkiakut.
