Dy të arrestuarit për tentativën e mashtrimit ndaj presidentit të FSHF-së, Armand Duka, kanë dhënë dëshmi të ndryshme para hetuesve.
Orest Balla dhe Edison Korra nuk kanë të njëjtin version për mënyrën se si u përfshinë në skemën e mashtrimit, ndërsa hetuesit dyshojnë se pas dëshmive të tyre fshihet një tjetër histori. Orest Balla, i cili akuzohet se u shtir si Taulant Balla për t’i kërkuar Dukës një shumë prej 100 mijë eurosh, ka deklaruar se ishte kontaktuar përmes Instagramit nga një person i panjohur.

Sipas tij, personi i kishte premtuar 2 mijë euro në këmbim të një komunikimi me një tjetër person. Balla ka treguar se më pas një person i kishte shkuar me makinë dhe i kishte dhënë një numër telefoni, përmes të cilit ai kishte komunikuar me djalin e Armand Dukës, që në fakt rezultonte të ishte një agjent policie i infiltruar.

Ai ka mohuar gjithashtu se e njihte më parë të arrestuarin tjetër, Edison Korrën. Por ky i fundit ka dhënë një tjetër version para hetuesve. Korra ka pretenduar se ishte kontaktuar pikërisht nga Orest Balla, në një lokal, dhe se ky i fundit i kishte kërkuar të merrte një porosi. Dy dëshmitë bien ndesh me njëra-tjetrën, ndërsa hetuesit po përpiqen të zbardhin rolin e secilit në skemën e mashtrimit. Ndërkohë, dyshohet se komunikimi me Armand Dukën përmes aplikacionit Signal është kryer nga një person tjetër, i cili ende nuk është identifikuar. Si kreu i kësaj skeme mashtrimi, grupi hetimor ka dyshime se qëndron Florian Gjergji, person i shpallur në kërkim edhe më herët nga policia, pre e së cilës kanë rënë një numër i madh personash.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb