Një e-mail me përmbajtje kërcënuese u është dërguar sot rreth 150 adresave elektronike të disa institucioneve në Shqipëri.
Në mesazhin kërcënues, dërguesi prezantohet si “udhëheqësi i milicisë serbe” dhe pretendon se ka vendosur një mjet shpërthyes në ndërtesën e institucionit, duke paralajmëruar se shpërthimi do të ndodhte pas një ore. Në përmbajtjen e e-mailit përfshihen edhe kërcënime të rënda ndaj shqiptarëve, ndërsa dërguesi shprehet se sulmet do të vazhdojnë deri në njohjen e Kosovës si tokë serbe.

Përmbajtja e e-mailit:
“Përshëndetje. Jam udhëheqësi i Milicisë Serbe. Kemi ardhur të hakmerremi ndaj jush. Sapo kam vendosur personalisht një mjet shpërthyes në ndërtesën tuaj. Shpërthimi do të ndodhë pas një ore. Nga ju do të mbeten vetëm copa mishi. Do të vrasim shqiptarë derisa ta njihni Kosovën si territor të Serbisë. FAT TË MBARË”.
Pas marrjes së mesazhit, policia ka nisur punën për identifikimin e personit që qëndron pas dërgimit të e-mailit.
