Në një seancë dëgjimore me deputetët e opozitës, Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, u përgjigj ndaj kërkesës së një të katërtës së deputetëve të opozitës lidhur me gjendjen e sigurisë publike në vend, masat e ndërmarra dhe përgjegjësitë institucionale që burojnë nga situata aktuale.
Koçiu theksoi se Shqipëria është një vend i sigurt, duke u bazuar në raportet ndërkombëtare dhe statistikave të brendshme. “Vendi ynë ka mirëpritur 12 milionë turistë dhe qytetarë të huaj që hapin biznese ose blejnë prona. Shqipëria ka dalë nga të gjitha listat e zeza dhe siguria është rritur ndjeshëm,” tha ajo.
Ministrja u shpreh se për vitin e kaluar janë arritur nivele të larta të zbulueshmërisë së krimeve, mbi 94%, ndërsa 20,19% e tyre janë zbardhur plotësisht.
Sipas saj ka një rënie të vrasjeve me dashje, nga mesatarisht dy vrasje në javë në vitin e kaluar, në një vrasje çdo dy javë këtë vit. “Në nëntëmujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 29 vrasje me dashje, krahasuar me 41 të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shpërbërja e grupeve kriminale ka qenë një faktor kyç në këtë ulje,” tha Koçiu.
Sa i përket kriminalitetit të organizuar dhe krimeve të rënda, Ministria e Brendshme ka realizuar progres të dukshëm. Gjatë nëntëmujorit të parë janë zhvilluar 1,121 hetime për krime financiare dhe trafik narkotikësh. Nga SPAK janë sekuestruar dhe konfiskuar pasuri me vlerë 65.5 milionë euro, të cilat po përdoren për financimin e projekteve sociale.
Koçiu nënvizoi edhe uljen e aksidenteve rrugore me 17% krahasuar me një vit më parë, duke përmendur se në vitin 2024 humbën jetën 155 persona, ndërsa këtë vit numri ka rënë ndjeshëm. Ajo evidentoi gjithashtu nevojën për rregulla më të qarta dhe respektim rigoroz për përdorimin e monopatinave elektrike, pasi janë regjistruar mbi 1 mijë aksidente gjatë nëntëmujorit.
Ajo foli edhe për bashkëpunimet ndërkombëtare, duke njoftuar se janë zhvilluar 479 operacione, dyfishi i vitit 2024, prej të cilave 97 me partnerë ndërkombëtarë. Janë ngritur 22 skuadra hetimore për krimin ekonomik, kibernetik dhe narkotikët, dhe numri i personave të kapur është rritur ndjeshëm.
“Shpërbërja e grupeve kriminale, kontrollet e rrepta dhe bashkëpunimi ndërkombëtar kanë ulur ndjeshëm veprat e rënda penale, duke përfshirë vrasjet me dashje, që janë në nivele më të ulëta se kurrë,” përfundoi Koçiu.
