Asllan Dogjani, deputet i Partisë Demokratike kishte thirrur sot gjatë seancës së Kuvendit në interpelancë ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha. Por teksa mori fjalën, Dogjani renditi disa nga krimet dhe vrasjet në Shqipëri, por kjo nuk kaloi pa gafa, duke bërë që deputetët në sallë të shpërthejnë në të qeshura.
Ai kujtoi vrasjen e një personi (Bujar Nasufi pranë Pallatit me Shigjeta), por në vend të tij tha “vrasja e Fadil Nasufit…”, ky i fundit deputeti i PS.
“Sorry, sorry….” (më vjen keq, ndjesë), tha ai, ndërsa shtoi “Fadil, do të të zgjatet jeta më shumë mos u bëj merak…”.
Deputeti Dogjani kujtoi edhe një ‘viktimë’ tjetër, “Vrasja e Lulzim Bashës…” (në fakt i vrari është Lulzim Visha në Kamëz muajin e kalkuar), tha ai dhe të qeshurat vijuan sërish brenda në seancë. Por Dogjani në rastin e Bashës shtoi: “Këtë e thashë për humor…”.
“24 janar vritet në Kamzë, 200 metra larg banesës, Lulzim Basha…Lulzim Visha. Këta e bëra për të qeshur, për humor. E bëra për të thënë që ju qeshni me vrasjet”, tha Dogjani.
Seanca e sotme e Kuvendi u shoqërua me debate, tensione dhe kaos, por nuk munguan as përplasjet fizike me punonjësit e Gardës. Incidentet eskaluan kur Flamur Noka hodhi një bidon uji drejt Taulant Ballës duke sjellë për pasojë ndërprerjen e punimeve të Kuvendit. Deputeti demokrat u përjashtua nga seanca me vendim të kryeparlamentares Elisa Spiropali.
(BalkanWeb)
