Japonia do t’i ofrojë Ukrainës mbështetje të re financiare me vlerë 5.5 miliardë dollarë, tha kryeministri Fumio Kishida.

Japonia i është bashkuar fuqive perëndimore në vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës që nga fillimi i luftës më 24 shkurt 2022.

Ajo tashmë i ka ofruar Ukrainës mbështetje financiare me vlerë 600 milionë dollarë së bashku me qindra milionë dollarë ndihmë urgjente humanitare, sipas zyrës së kryeministrit.

Por “ekziston ende nevoja për të ndihmuar njerëzit, mjetet e jetesës të së cilëve janë shkatërruar nga lufta, dhe për të rivendosur infrastrukturën e shkatërruar”, tha Kishida në një fjalim në Tokio.

“Ne kemi vendosur të ofrojmë mbështetje financiare shtesë prej 5.5 miliardë dollarësh”.

Kryeministri japonez njoftoi gjithashtu se do të presë një video-konferencë të liderëve të G7 me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky më 24 shkurt, në përvjetorin e një viti të pushtimit.

“Këtë vit, Japonia do të mbështesë Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus dhe do të udhëheqë përpjekjet e botës për të mbështetur një rend ndërkombëtar të lirë dhe të hapur të bazuar në sundimin e ligjit. “- tha Kishida.

Udhëheqësit e G7 do të takohen personalisht në Hiroshima në maj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb