Japonia tha të martën se kundërshton çdo veprim që minon zgjidhjen me dy shtete në Palestinë, duke theksuar “krizën e rëndë humanitare” në Rripin e Gazës që është “shënjuar nga uria dhe kequshqyerja”.

“Japonia i njeh plotësisht aspiratat legjitime të popullit palestinez për të krijuar një shtet të pavarur”, tha Uemura Tsukasa , i dërguari special i Japonisë për paqen në Lindjen e Mesme, në një konferencë të OKB-së për Palestinën.

Kjo erdhi pasi SHBA-të hodhën poshtë konferencën ndërkombëtare mbi zgjidhjen me dy shtete në selinë e OKB-së në Nju Jork të hënën si “joproduktive” dhe një përpjekje “në kohë të gabuar” që minon diplomacinë.

Tsukasa, duke kërkuar lirimin e të gjithë pengjeve, tha se “Japonia kundërshton me vendosmëri çdo veprim që minon realizimin e një zgjidhjeje me dy shtete, duke përfshirë pushtimin e mundshëm të Gazës dhe zgjerimin e aktiviteteve të vendbanimeve në Bregun Perëndimor”.

Zhai Jun, i dërguari i Kinës për Lindjen e Mesme, tha: “Jetë të pafajshme ende po humbasin dhe një krizë humanitare e pashembullt vazhdon” në Gaza.

“Në rrethanat aktuale, bashkësia ndërkombëtare jo vetëm që duhet të mbështesë një zgjidhje, por edhe të veprojë, duke ndërmarrë hapa realë për të çuar përpara zgjidhjen me dy shtete”, tha Zhai. “Kina i bën thirrje Këshillit të Sigurimit të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për t’i dhënë fund kësaj katastrofe humanitare më të keqe të shekullit të 21-të sa më shpejt të jetë e mundur dhe për të krijuar kushte praktike për zbatimin e një zgjidhjeje me dy shtete.”

Më vete, zëvendësministri indonezian i Punëve të Jashtme, Arrmanatha Nasir, theksoi se “e ardhmja e Palestinës duhet të udhëhiqet nga palestinezët”, duke vënë në dukje se “çdo përpjekje për t’i zhvendosur ata me forcë ose për të imponuar kushte për sovranitetin duhet të refuzohet me vendosmëri”.

 

(A.A/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb