United prek fundin. Skuadra e Amorim humbet gjithçka, teksa po zhvillon një prej sezoneve më të dobta në historinë e saj. Sikur të mos mjaftonte gjendja skandaloze në Premier league, “Djajtë e Kuq” janë jashtë edhe FA Cup, kompeticionit më të vjetër në botë.
Në “Old Trafford” do të ishin londinezët e Fulham që do të kualifikoheshin pasi u treguan më të saktë nga goditjet e penalltive. Koha e rregullt përfundoi në barazim 1-1. Në pjesën e parë do të ishte Bassey që me kokë do të përfitonte nga një rrëmujë në zonë për të shënuar golin e avantazhit. Pjesa e dytë më pas foli më shumë për ekipin e United, që intensifikoi sulmet për të kërkuar golin e barazimit. Barazim që vjen me portugezin Bruno Fernandez, që shfrytëzon saktë një pasim nga e majta dhe me një diagonale e ndal sferën në fundin e rrjetës për golin e barazimit.
Në kohën shtesë do të tregoheshin më të rrezikshëm miqtë, që do t’i afroheshin golit, por Onana do të neutralizonte gjithçka. Përfundimisht gjithçka u mbyll 1-1 me fituesin që do të përcaktohej nga ruleta e penalltive. Nga penalltit miqtë u treguan më të saktë teksa shënuan 4 11 metërsha, ndërsa deçiziv rezultuan gabimet e Lindelhov dhe holandezit Zirkzee që bënë kështu që United të eliminohet nga FA Cup në 1/8 e finaleve. I zhgënjyer në përfundim të takimit ishte padyshim portugezi Ruben Amorim, i icli komentoi edhe fjalët e ish bomberit të United, Wayne Rooney që e cilësoi atë si naiv, për shkak të objektivit të teknikut të United sa i takon titullit kampion në Premier League:
“Unë nuk jam naiv. Jam 40 vjeç dhe jam drejtuesi i një ekipi si United. E përsëris sa kohë kjo skaudër nuk fiton një titull në 12 vite, atëherë nuk ka dyshime se objektivi i klubit mbetet fitimit i Premier League. Nuk e di sa kohë do të na duhet, ne po humbasim ndeshje, por objektivi ynë duhet të jetë vetëm ky.”
