Udhëheqës politikë nga vende të ndryshme të botës janë mbledhur në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ndërsa ndryshimet klimatike janë vendosur në qendër të diskutimeve gjatë Javës së Klimës.
Aktivitetet e këtij viti zhvillohen paralelisht me Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, pas një periudhe me temperatura ekstreme në pjesë të ndryshme të botës, zjarre, përmbytje dhe fenomene të tjera të motit ekstrem.
Kryeministri australian Anthony Albanese, i cili mbajti fjalimin hapës të Javës së Klimës, tha se shkenca ka paralajmëruar prej kohësh për rritjen e shpeshtësisë dhe intensitetit të fenomeneve ekstreme të motit.
“Ngjarjet ekstreme të motit në shkallë globale kanë qenë gjithmonë të rrezikshme. Por shkenca na ka paralajmëruar qartë se, ndërsa planeti ngrohet, këto ngjarje do të bëhen më të shpeshta dhe intensive”, tha Albanese.
Në fokus ishte edhe përvoja e Islandës në kalimin nga lëndët djegëse fosile drejt energjisë së rinovueshme. Kryeministrja islandeze Kristrún Frostadóttir solli si shembull tranzicionin e vendit drejt energjisë gjeotermale, i cili u përshpejtua pas krizës globale të naftës në vitet 1970.
Në atë periudhë, shumica e shtëpive në Islandë përdornin naftë të importuar për ngrohje. Sipas Frostadóttir, kriza e detyroi vendin të investonte në burimet e energjisë që kishte në territorin e tij.
“Sot, pothuajse çdo shtëpi në Islandë ngrohet me burime të rinovueshme të energjisë, me më shumë se 90% të ngrohjes që vjen nga energjia gjeotermale”, tha ajo.
Ajo theksoi se ky tranzicion kërkoi mbështetje politike, mekanizma financiarë për familjet dhe një konsensus ndërpartiak që vazhdoi përtej disa qeverive.
Gjatë aktiviteteve të Javës së Klimës u theksua gjithashtu lidhja mes ndryshimeve klimatike dhe sigurisë kombëtare.
Selwyn Hart, ndihmës sekretar i përgjithshëm i OKB-së për veprimin klimatik, tha se zhvillimet e fundit gjeopolitike tregojnë nevojën për përshpejtimin e largimit nga lëndët djegëse fosile.
Ed Miliband, sekretari i Jashtëm britanik, paralajmëroi gjithashtu për rreziqet që sjell varësia nga lëndët djegëse fosile, duke kërkuar që klima dhe natyra të përfshihen në sistemet e sigurisë kombëtare, vlerësimet e kërcënimeve dhe planet e emergjencave.
Sipas tij, një krizë që nis në një vend mund të përhapet shpejt në vende të tjera përmes zinxhirëve të furnizimit, tregjeve financiare dhe flukseve të migracionit.
Ndryshimet klimatike po shqyrtohen edhe nga sektori privat përmes investimeve në energji të rinovueshme dhe eficiencë energjetike. Karen Pflug, drejtuese e qëndrueshmërisë në Ingka Group, tha se investimet në eficiencën e energjisë kanë sjellë kursime të konsiderueshme për kompaninë.
Në ditën e hapjes së aktivitetit, folësit u përqendruan te nevoja për të përshpejtuar tranzicionin energjetik, pavarësisht vështirësive ekonomike dhe krizave të tjera globale.
Frostadóttir tha se udhëheqësit duhet të veprojnë përpara se pasojat e ndryshimeve klimatike të bëhen edhe më të rënda.
“E vetmja pyetje e vërtetë që u mbetet udhëheqësve është se çfarë duhet për të vazhduar të ecim përpara më shpejt se turbulencat që ende nuk na kanë goditur”, u shpreh ajo.
“Përgjigjja jonë, nga një ishull i vogël në Atlantikun e Veriut, është kjo: filloni përpara se të detyroheni. Ndërtoni qëndrueshmëri përpara se kriza ta vërë në provë atë”, shtoi kryeministrja islandeze.
Java e Klimës zhvillohet çdo vit në Nju Jork që nga viti 2009. Organizatorët kanë deklaruar se edicioni i këtij viti është më i madhi deri më tani, me mbi 100 mijë pjesëmarrës nga politika, biznesi dhe shoqëria civile.
Megjithatë, organizatorët kanë ngritur shqetësimin për atë që e quajnë “heshtje klimatike”, pra shmangien e diskutimit publik për ndryshimet klimatike nga disa drejtues politikë dhe biznesi, në një kohë kur vëmendja ndërkombëtare është e përqendruar te luftërat, inflacioni dhe vështirësitë ekonomike.
