Në seancën e 30 Prillit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka pasur debate të shumta mes anëtarëve të KLP-së lidhur me vendimin për hapjen e vendeve vakante.
Në audion e cila është regjistruar prej 7 orësh, debati ka qenë mes anëtarit të KLP-së Sokol Stojani dhe drejtueses së KLP-së Mirela Bogdanit.
Shkak i debatit mësohet se u bë një vendim për dërgimin në Kuvend të vendeve vakante në KLP, ndërsa kryetarja Bogdani ka kërkuar që çështja të rikthehej për rishqyrtim.
Një kërkesë kjo që u kundërshtua nga Stojani. Ky kundërshtim solli edhe tensione dhe përplasje mes tyre. Seanca zgjati më shumë se 7 orë dhe u shoqërua nga debate të forta dhe tone të ashpra.
Pjesë nga debatet;
Bogdani: Ore nuk do marrim vendim sot.
Stojani: O kryetare, je në kundërshtim me ligjin. Ti të paktën duhet ta njoftosh anëtarin. Është përdhunim moj kryetare.
Bogdani: Po pse vetëm ju ndiheni i përdhunuar zoti Stojani? Ne të tjerët e kuptoni sesi ndihemi nga lloj-lloj ofendimesh dhe fyerjesh? Mbledhjen e deklaroj të mbyllur, të qetësohen palët, të rehabilitohen dhe të vijnë në mbledhjen tjetër.
Stojani: Kryetare po sabotoni mbledhjen e Këshillit, duke futur gjëra dhe duke penguar përgjegjësinë e këtij këshilli. Do mbani përgjegjësi. Do mbani përgjegjësi po ju them.
Bogdani: E di, në litar do më varni. Do më varni në litar.
Stojani: Po ç’litar aman, s’je ti për litar. Ashtu të ngre në qiell unë. Turp të të vijë. Po i mban njerëzit peng për gjëra ordinere. Nuk diskutohet një vendim i marrë.
Bogdani: Kush je ti që më tregon mua? Rrëzoje pra.
Stojani: Po si ta rrëzoj moj? Nuk rrëzohet.
Bogdani: Dakord, mbase jam çmendur unë.
Stojani: Po je çmendur moj, nuk e zhbën dot ti një vendim.
Bogdani: Ore ashtu e gjykova.
