Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së mbajtur sot në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, ka vënë theksin te domosdoshmëria e vijimit të reformës në drejtësi, por me një paralajmërim të qartë: çdo ndryshim në ligj duhet të marrë miratimin paraprak të Komisionit Evropian.
Rama u shpreh se Partia Socialiste është e angazhuar për të mbështetur përmirësimin e sistemit të drejtësisë, përmes ligjeve të reja, por theksoi se ky proces nuk mund të ndodhë në mënyrë të njëanshme.
“Pjesë e jona është ta mbështesim përmirësimin e sistemit të drejtësisë me ligje të reja. Dhe këtu ka një por: asnjë ndryshim në ligjin e drejtësisë, sado i nevojshëm të duket, nuk ndodh me votat tona pa marrë dritën jeshile nga Komisioni Evropian,” deklaroi Rama.
Sipas tij, sistemi aktual i drejtësisë në Shqipëri është ende larg standardeve evropiane dhe asaj që qytetarët meritojnë. Ai theksoi se rruga drejt një drejtësie funksionale kërkon vendosmëri dhe durim shtetformues, duke përjashtuar çdo alternativë tjetër.
“Kjo që kemi është larg drejtësisë që duhet Shqipërisë evropiane në vitin 2030 dhe asaj që meritojnë qytetarët, të sakatuar ndër vite nga drejtësia. Nuk duhet të ketë asnjë iluzion se ka rrugë tjetër; nuk ka rrugë tjetër veç vendosmërisë dhe durimit shtetbërës,” u shpreh kreu i qeverisë.
