Grupi prej pesë personash që mashtruan një biznesmen nga Shkodra, tre prej të cilëve janë arrestuar, dyshohet se janë pjesë e grupit të të shumëkërkuarit për mashtrim, Florian Gjergji.
Gazetarja Xhenila Kodra raporton për BalkanWeb se të dielën, policia arrestoi Krenar Toromenin, Ilia Gjinin dhe Artur Lecinin. Sipas hetimeve, ata kanë kontaktuar biznesmenin përmes aplikacionit Viber, duke përdorur një numër të paregjistruar, dhe janë prezantuar si miq të ngushtë të Tonin Marinajt, kryetarit të Bashkisë Malësi e Madhe.
Të arrestuarit i kanë kërkuar biznesmenit shumën prej 40 mijë eurosh, me pretendimin se do t’ia dorëzonin Marinajt dhe se paratë do t’i ktheheshin brenda pak ditësh. Sipas deklarimit të biznesmenit, ai ua ka dhënë paratë me mirëbesim.
Në mbrëmje, pasi ka kontaktuar vetë Tonin Marinajn për ta pyetur nëse i kishte marrë paratë, biznesmeni ka kuptuar se kishte rënë pre e mashtrimit. Më pas, ai ka bërë kallëzim në polici, duke çuar në nisjen e hetimeve dhe arrestimin e tre personave.
