Presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi se ka ardhur koha për t’i dhënë fund luftës me Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se Teherani ndodhet, sipas tij, në një “pozicion force” përballë Uashingtonit.
“Është më mirë ta përfundojmë luftën tani, ndërsa jemi në një pozicion force dhe dinjiteti”, tha Pezeshkian gjatë një takimi me mjekë. Ai akuzoi Shtetet e Bashkuara për sulme ndaj shkollave, spitaleve dhe infrastrukturës iraniane, duke pretenduar se janë shkelur rregullat ndërkombëtare.
Deklaratat e presidentit iranian erdhën pasi Ministria e Jashtme e Iranit akuzoi SHBA-në për “terrorizëm ekonomik” dhe “krime kundër njerëzimit”, pas vendimit të Uashingtonit për të forcuar sanksionet ndaj Teheranit.
Ministria iraniane deklaroi se personat përgjegjës për sanksionet duhet të mbajnë përgjegjësi për atë që Teherani i konsideron krime të rënda.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka deklaruar se Uashingtoni synon të rrisë presionin ekonomik ndaj Iranit përmes një fushate të gjerë sanksionesh, me synimin për të dobësuar regjimin iranian.
Qëndrimi amerikan ka shkaktuar reagime edhe nga Kina. Pekini ka kritikuar politikën e sanksioneve dhe presionit ekonomik të SHBA-së, duke argumentuar se këto masa nuk do të çojnë në zgjidhjen e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Uashingtoni, nga ana tjetër, u ka bërë thirrje vendeve të tjera, veçanërisht Kinës, që t’i bashkohen përpjekjeve për të izoluar ekonominë iraniane.
Deklarata e Pezeshkianit vjen në një moment kur tensionet mes Teheranit dhe Uashingtonit mbeten të larta, ndërsa presioni ekonomik dhe diplomatik ndaj Iranit vazhdon të rritet.
