Mjafton një moment, mjafton një gol, një detaj për të ndryshuar totalisht statusin në një skuadër. Ky është rasti i Brojës, me sulmuesin kuqezi që pasi “theu” një mallkim thuajse 2-vjeçar, me atë gol kundër Bournemouth, është kthyer në kryefjalë këto ditë në radhët e Burnley. Nga trajneri Parker te tifozët e Burnley dhe jo vetëm, të gjithë shpresojnë që ky gol t’i shërbejë Brojës për të zhbllokuar për të udhëheqë ekipin në fazën sulmuese. Në një intervistë për faqen zyrtare të klubit, Armando Broja zbuloi ndjesitë pas atij goli të shënuar, i pari me fanellën e Burnley:
“Padyshim një ndjesi fantastike për mua, por edhe i gjithë ekipi ishte i kënaqur, të gjithë ishin të përfshirë. Ndoshta paraqitja nuk ishte më e mira që kishim, por sa i përket rezultatit, ishte i mirë, ishte pika e parë pas 7 humbjeve, ndjesa është që tani mund të krijojmë një ecuri pozitive”
Broja u ndal më pas duke theksuar se objektivi i tij dhe i gjithë grupin është të mbijetojnë në Premier League, që në sytë e tij dhe të gjithë botës është kampionati më i fortë:
“Kemi uri, dëshirë, jemi të bashkuar të gjithë për të qëndruar në Premier League. Ky është kampionati më i mirë dhe padyshim që të gjithë duam që të jemi pjesë e këtij kampionati dhe të luajmë. Ndaj siç e thashë, do të luftojmë në çdo ndeshje që të kemi mundësi. Dhe shpresoj që tani, pas këtij barazimi dhe kësaj pike, të ndërtojmë vazhdimësi. E kemi parë se sa shpejt ndryshojnë gjërat dhe ne do të qëndrojmë të bashkuar duke shpresuar që të ndryshojmë gjërat”, u shpreh Broja.
