Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News24, ka komentuar zhvillimet më të fundit politike në vend, duke e cilësuar situatën aktuale si “absurde” dhe të paprecedentë për opozitën dhe demokracinë në Shqipëri.
Paloka pranoi se Partia Demokratike ndodhet në një fazë tepër të vështirë, duke theksuar se edhe pas 12 vitesh denoncimesh të vazhdueshme ndaj qeverisë, “vjedhjet dhe mashtrimet vijojnë pandërprerë, pa asnjë pasojë reale”. Sipas tij, pavarësisht mungesës së rezultateve konkrete, opozita nuk mund të largohet më nga Parlamenti, por është e detyruar të qëndrojë dhe të vijojë betejën politike.
Duke iu referuar seancës së fundit parlamentare, e cila zgjati vetëm 25 minuta, Paloka akuzoi kryeministrin Edi Rama për manipulim dhe përgatitje të skenarëve në funksion të shmangies së përballjes me opozitën.
“Seanca ishte e përgatitur nga Rama. Ai e ka menduar që më parë. Nuk pati as zhurmë e as protesta si herët e tjera. Ai ka vite që nuk e do Parlamentin,” tha Paloka, duke shtuar se Rama nuk e përballon dot të dëgjojë të vërtetat që i thuhen në sy në Kuvend.
Sipas tij, Parlamenti është i vetmi institucion ku kryeministri nuk e kontrollon tërësisht situatën dhe ndjehet i ekspozuar. “Këtu ai gjendet përballë njerëzve që i përplasin të vërtetat në fytyrë”, deklaroi Paloka.
Në deklaratën e tij më të fortë, Paloka theksoi se “diktatura nuk rrëzohet as me fjalë e as me farsa zgjedhore”, duke lënë të kuptohet se opozita po shqyrton forma të tjera të reagimit politik dhe qytetar.
Ai u shpreh skeptik ndaj propozimeve për një grevë urie, duke theksuar se një akt i tillë nuk garanton rezultat. Megjithatë, ai nuk e përjashtoi si opsion nëse do të përdorej për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtar.
“Na duhet një reagim i qartë. Shqiptarët janë të vetëdijshëm për atë që ndodh, por duket se në heshtje e kanë pranuar. Ne nuk mund të heshtim,” u shpreh Paloka.
