Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një deklaratë të fortë gjatë seancës parlamentare të ditës së sotme, duke kundërshtuar projektligjin për barazinë gjinore që po diskutohet në Kuvend. Berisha e cilësoi këtë seancë si “krejt ndryshe nga çdo seancë tjetër” dhe akuzoi mazhorancën se po përdor këtë nismë për të imponuar ideologji që, sipas tij, cenojnë familjen tradicionale dhe vlerat morale të shoqërisë shqiptare.

“Të dashur qytetarë, kjo seancë është një seancë krejt tjetër nga çdo seancë që keni ndjekur deri më sot. Këtu kanë sjellë një ligj të quajtur ‘për barazinë gjinore’, por në fakt është ideologjik. Ai synon përmbysjen e familjeve dhe vlerave të saj, përmbysjen e librave të shenjtë dhe të moralit që ato përfaqësojnë,” – tha Berisha. Ai shtoi se opozita respekton orientimin seksual të çdo individi, por është kundër asaj që e cilësoi si “devijim të gjinisë”.

“Ne respektojmë orientimin seksual të të gjithëve, por nuk jemi pro devijimit të gjinisë,” – u shpreh ai. Në vijim, Berisha akuzoi qeverinë për korrupsion dhe lidhje me struktura kriminale, duke e cilësuar si “mafien më të rrezikshme në Europë”. “Ju jeni mafia më e rrezikshme në Europë. Ata që duhet t’ju denoncojnë, ju mbrojnë. Ju jeni hajdutët më të mëdhenj në Europë,” – deklaroi ai. Sipas Berishës, kjo betejë politike nuk është vetëm për një ligj të caktuar, por për mbrojtjen e vlerave themelore të shoqërisë shqiptare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb