Jep dorëheqjen nga detyra kryetarja e komanduar e Bashkisë së Himarës, Blerina Bala, dy muaj pasi mori detyrën. Në një deklaratë drejtuar Këshillit Bashkiak të Himarës, Bala ka sqaruar se vendimin e ka marrë për arsye personale.
Blerina ala mori detyrën pasi kryebashkiaku Jorgo Goro u arrestua për shpërdorim detyre dhe u shkarkua me vendim qeverie, ndërsa Fredi Beleri, kryetari i zgjedhur nga gara e 14 majit, ndodhet në burg për blerje votash i dënuar nga GJKKO me 2 vite heqje lirie.
Bala, që më herët ishte nënkryetare e bashkisë, qëndroi në detyrën e kryetares së komanduar prej 29 marsit kur Këshilli Bashkiak me shumicën socialiste, votoi për të në krye të Himarës, deri në zgjedhjet e pjesshme të parakohshme në këtë bashki.
Deklarata e dorëheqjes së Blerina Balës:
Të nderuar banorë të Himarës!
Të nderuar anëtarë të Këshillit Bashkiak Himarë!
Ndjehem e nderuar dhe e privilegjuar që mu dha mundësia të drejtoja Bashkinë Himarë për këtë periudhë aq sa të vështirë dhe të mrekullueshme për mua.
Gjatë kësaj kohe jam përpjekur të punoj me përkushtim dhe e palëkundur, për të ruajtur dhe zgjidhur çështjet që janë paraqitur para meje.
Sidoqoftë për shkaqe personale që kërkojnë kohën dhe vëmendjen time të plotë, me keqardhje ju njoftoj pamundësinë time për të vazhduar detyrën e Kryetares së Bashkisë Himarë që mu besua dhe nga Këshilli Bashkiak Himarë.
Me këtë letër, sot zyrtarisht paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga pozicioni i Kryetares së Bashkisë Himarë.
Dua të shpreh falenderimet dhe mirënjohjen më të thellë stafit të Bashkisë Himarë, Këshillit Bashkiak Himarë dhe çdo banori të Himarës për mbështetjen dhe për vlerat njerëzore që kemi ndarë gjatë kësaj periudhe.
Përulësisht kërkoj të pranoni mirënjohjen time të sinqertë, për bashkëpunimin dhe për çdo gjë që kemi arritur së bashku.

(BalkanWeb)
