TIRANË- Dorëhiqet Dritan Hila, zv/ministër i Mbrojtjes. Burime të Neës 24 nga Ministria e Mbrojtjes konfirmojnë lajmin e dorëheqjes së tij.

Mësohet se kanë qënë arsyet personale ato që e kanë shtyrë Dritan Hilën të dorëhiqet. Mësohet se Kryeministri Rama ka pranuar dorëheqjen e zv/ministrit Hila dhe e liroi nga detyra.

Dritan Hila është i njohur si diplomat por edhe si gazetar. Në vitet 2002 deri 2004, ka qenë i akredituar si konsull i Shqipërisë në Bari (Itali), ndërsa në periudhën 2005-2006, ka qenë i akredituar si konsull i Shqipërisë në Milano (Itali).

Në shkurt të vitit 2011, pas një konflikti gati gjashtë mujor, që kishte lidhje me çështje si “Marrëveshja e Shelfit Detar Midis Republikës se Shqipërisë dhe Republikës Greke”, e njohur nga publiku shqiptar si “Marrëveshja e Detit”, dhe që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë; me inaktivitetin e shtetit Shqiptar ndaj ndërhyrjes së qarqeve greke në regjistrimin etnik të popullsisë që do bëhej në kuadër të Censusit të përgjithshëm të Tetorit të vitit 2011 ; me qëndrimin indiferent të shtetit shqiptar për të kundërshtuar raportin e europarlamentarit zviceran Dick Marty, në te cilin akuzoheshin qeveria shqiptare dhe ish UÇK-ja për trafik organesh, largohet nga shërbimi diplomatik. Që nga kjo periudhë fillon betejën gjyqësore me Ministrinë e Jashtme Shqiptare.

Hila, filloi të jetë prezent në shtypin shqiptar që në vitin 2008, ku ka trajtuar probleme të ndryshme të politikës së jashtme, si dhe të trajtojë raportet që duhet të kishte Shqipëria me subjekte të ndryshme ndërkombëtare. Ka shkruar në gazetat Shqip, Gazeta Shqiptare, Revista MAPO, Gazeta MAPO dhe gazeta Shekulli. Gjithashtu ka qenë prezent në televizionet Top Channel, Neës 24, Ora Neës dhe Scan, si opinionist.

(ma.ar/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: