Tri gra humbën jetën mizorisht dje dhe 3 të tjera u plagosën në tri ngjarje të ndryshme në Tiranë.
Duke shënuar ndoshta kështu, ditën me rekordin më të zi të vrasjeve të grave në Shqipëri, të paktën në 30 vitet e fundit. Të tria ngjarjet i lidh i njëjti emër, Dan Hutra, një ish-i dënuar për vrasjen e gruas në 2007.
Vrasja e parë ndodhi në orën 12:30 të mesditës në Kodër Kamëz. Autori i masakrës me dy të vrarë dhe dy të plagosur, sipas policisë, është Dan Hutra. Një person me precedentë të shumtë penalë, i cili sapo ishte liruar nga burgu.

Por mesa duket ai nuk kishte reflektuar pas krimeve të rënda që kishte kryer. Pasi ai thuhet se u kthye sot në oborrin e bashkëjetueses së tij të dytë, kreu këtë herë një masakër. Ai vrau në oborrin e ish-bashkëjetueses së tij, Elena Hysa, motrën e kësaj të fundit, Mevlute Hysa, 30 vjeç. Si dhe la të vdekur të fejuarën e vëllait të ish-partneres së tij, Hasime Dafku, po 30 vjeç. Po kështu ai la të plagosur edhe Kujtime Hysën, nënën e ish-bashkëshortes së tij si edhe gruan e tij, Elena Hysa.

Çifti thuhet se jetonin në kryeqytet dhe ishin martuar me mblesëri vetëm 8 muaj para ngjarjes së rëndë.
Ngjarja erdhi pas dhunës që ky i fundit ushtronte vazhdimisht ndaj saj. Dan Hutra që siç theksuam edhe më herët ishte një person me rekorde të pafundme kriminale në familje. Pasi në vitin 2007 ai rezulton se kishte vrarë me thikë, bashkëshorten e tij të parë, ngjarje e ndodhur në Kukës.

Siç u raportua, ai goditi 2 herë me thikë në zemër bashkëshorten Dafina Havalja, në atë kohë vetëm 25 vjeçe. Por ky duket se nuk ishte veprimi i parë i dhunshëm që Dan Hutra kishte kryer brenda familjes. Pasi ai thuhet se para se të martohej me Dafina Havaljan, ai ishte dënuar për heqjen e lirisë së nënës dhe kunatës së tij dhe tentativën për përdhunimin e tyre, krime për të cilat thuhet se kreu vetëm 3 vite heqje lirie. Ndërsa u kthye sërish në qeli në vitin 2007 si vrasës i bashkëshortes së tij të parë, krim të cilin e pranoi edhe para gjykatës.

Ai tha se ishte ai vrasësi i gruas së tij, Dafinës, për të cilën deklaroi se e kishte goditur me thikë pasi ishin grindur dhe se gjithçka e kishte bërë pa vetëdije. Po ndërsa u konsumua krimi i parë në Kodër Kamëz, po ditën e sotme, jo shumë larg vendit të kësaj ngjarje, një tjetër vrasje tronditi këtë herë opinionin publik.
Edhe në këtë rast viktimë u bë një grua. Ajo rezultoi të jetë Etleva Kurti, e cila u qëllua brenda oborrit të banesës së prindërve në Kamëz. Etleva Kurti është motra e Vladimir Kurtit, i cili po vuan dënimin për vrasjen e biznesmenit Agim Buci dhe plagosjen e gruas së tij, gjatë një tentative për grabitjen e një marketi. Para se policia të dyshonte te Dan Hutra, ishte i dënuari Vladimir Kurti në një bisedë të zhvilluar me gazetaren Klodiana Lala që akuzoi 40-vjeçarin si autor të dyshuar të krimit.

Ai tha se; “Kemi pasur përplasje në burg me të. Ishte tip agresiv. Ai kishte paguar dy tre herë për të vrarë motrën por e kanë refuzuar… ka tentuar të më vrasë edhe mua në burg, edhe motrën time”. Po ndërsa zhvilloheshin këto ngjarje të njëpasnjëshme, Hurta, mendohet se ditën e sotme para se të merrte armën dhe të kryente këto krime, dyshohet se ka lënë të plagosur edhe të dashurën e tij. Ngjarje ndodhi mëngjesin e sotëm në zonën e Astirit në kryeqytet. Burime të policisë bëjnë me dije se e reja është paraqitur me plagë thike në spital, ku ka marrë mjekimin e parë. Ndërsa Dan Hutra u arrestua 6 orë pas arratisë së tij, në zonën e landfillit të Sharrës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: