Në mes të shpresës së venitur dhe boshatisjes thuajse totale të fshatrave të veriut, ka ende prej atyre që nuk mendojnë vetëm largimin, por bëjnë gjithë përpjekjet e mundshme për të qëndruar, qoftë edhe vetëm – si një akt besnikërie ndaj dashurisë për vendlindjen.
I tillë është 27-vjeçari Emanuel Pjetri, i cili, i udhëhequr nga dashuria për natyrën, që në fëmijëri nisi të shpërndante foto nga një fshat i harruar i Pukës – Buzhala.
I investuar me gjithë qenien në pasionin e tij, Emanueli nuk e mohon se edhe ai është tunduar të largohet. Por janë vizitorët që ai shoqëron çdo ditë në shtigjet malore apo në lundrimet përgjatë liqenit të Komanit që ia risjellin në vëmendje pasurinë natyrore e shpirtërore mes së cilës ai jeton.
Sot, Emanueli e ka zgjeruar aktivitetin e tij në të gjithë destinacionet turistike të Shqipërisë, por dashurinë me të cilën bën guidën në zonën e tij nuk e krahason me asnjë prej destinacioneve të tjera. I certifikuar nga Ministria e Turizmit si guidë kombëtare, ai tregon se është i kënaqur me të ardhurat që siguron, por thekson se me infrastrukturën e duhur numri i vizitorëve do të ishte shumë më i lartë.
Puka, ndër problemet kryesore si destinacion turistik, përballet me mungesën e njësive akomoduese. Endrra e Emanuelit është që ta ndryshojë këtë realitet. Ai po përpiqet që kullën e të parëve, në një fshat thuajse të braktisur por të pasur me bukuri natyrore, ta kthejë në një bujtinë, duke plotësuar kështu shërbimet që ofron si guidë.
Plot ëndrra dhe dëshira e karakterizojnë këtë të ri pukjan, i cili duket se ka gjetur motivin që e shtyn përpara në pasionin e tij. Ai nuk rresht së ftuari të gjithë ata që duan të zbulojnë Pukën dhe më gjerë – një thirrje për të njohur, dashur dhe ruajtur thesaret e natyrës shqiptare.
(BalkanWeb)
