Një familje me 8 anëtarë në fshatin Panarit të Korçës jeton në kushte mjaft të vështira.
Situatën e pa nga afër pak javë më parë Prefekti i Korçës Nertil Jole, i cili nisi menjëherë përpjekjet dhe siguroi financimin e një banese të re për ta.
Në këtë fillimviti Jole dha lajmin e mirë se falë përpjekjeve të institucionit të tij, është siguruar financim nga një donator i huaj dhe së bashku me ndihmën e një subjekti privat në Korçë, do t’i ndërtohet nga e para banesa 5 fëmijëve, prindërve dhe gjyshes së tyre.
Prefekti bën të ditur se projekti është realizuar tashmë nga inxhinierë të Drejtorisë Rajonale të ARRSH, dhe punimet planifikohen të fillojnë në muajin Mars ose Prill, sapo stina e dimrit të kalojë.
Gjithashtu familja do të zhvendoset për disa muaj në një banesë tjetër në fshat, deri sa banesa e re të jetë përfunduar.
Ndërkohë, shkruan Jole, familja është ndihmuar me ushqime dhe veshje nga organizata bamirëse DORCAS në Korçë.
“Vetëm duke u solidarizuar të gjithë bashkë, mund të bëjmë punë të mira që iu vijnë në ndihmë njerëzve në nevojë.
Falenderim dhe mirënjohje atyre që iu përgjigjën pozitivisht ftesës sonë për t’i ndihmuar këta njerëz! Sigurisht, ftesa është e hapur për këdo tjetër që dëshiron të ofrojë një ndihmë plotësuese”, shkruan Prefekti i qarkut të Korçës Nertil Jole.
