Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka kërkuar një transformim rrënjësor kushtetues, institucional dhe politik në Shqipëri, duke theksuar se largimi i kryeministrit Edi Rama nuk do të mjaftonte për të zgjidhur problemet e sistemit politik.
Përmes një reagimi të gjatë publik, Bylykbashi deklaron se protestat e studentëve kanë nxjerrë në pah nevojën për ndryshime të thella në mënyrën se si fitohet, ushtrohet dhe kontrollohet pushteti.
Ai propozon kufizimin e mandateve të kryetarëve të partive politike, demokratizimin e zgjedhjeve brenda tyre, ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe forcimin e kontrollit të Parlamentit mbi qeverinë.
“Protestat e studentëve po shpërthejnë digën e fundit të tranzicionit, që rrjedhën e lirë të demokracisë e ka kthyer në kënetën e autokracisë. Regjimi dhe sistemi antikushtetues i Edi Ramës duhet të rrëzohet patjetër!”, shkruan Bylykbashi.
Sipas tij, ndryshimi i qeverisë duhet të shoqërohet me një reformim të sistemit kushtetues dhe institucional, në mënyrë që asnjë individ apo parti të mos përqendrojë pushtetin në duart e veta.
“Shqipërisë i duhet një transformim kushtetues, institucional dhe politik që të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si fitohet, ushtrohet, kontrollohet dhe humbet pushteti”, thekson ai.
Një nga propozimet kryesore të nënkryetarit të PD-së lidhet me funksionimin e partive politike. Bylykbashi kërkon që drejtuesit e tyre të kenë mandate të kufizuara dhe të mbajnë përgjegjësi për rezultatet dhe dështimet politike.
“Kolegjialiteti duhet të dominojë mbi pushtetin e NJËSHIT. Kryetarët e partive duhet të kenë mandate të kufizuara dhe të mbajnë përgjegjësi për veprimet dhe dështimet politike. Koncepti i vjetëruar i liderit me mision e të pazëvendësueshëm duhet të marrë fund e të zëvendësohet nga ai i kryetarit me mandat dhe llogaridhënie”, shprehet Bylykbashi.
Ai kërkon gjithashtu shfuqizimin e sistemit zgjedhor parlamentar të vitit 2020 dhe hartimin e një sistemi të ri që të garantojë proporcionalitet kombëtar dhe zgjedhjen e personalizuar të deputetëve nga qytetarët, përmes zonave njëemërore ose listave të hapura.
Sipas tij, Parlamenti duhet të ketë më shumë pavarësi nga qeveria, ndërsa deputetët nuk duhet të kufizohen në zbatimin e urdhrave të drejtuesve të partive.
“Parlamenti nuk duhet të jetë noter i qeverisë. Një ligj nuk mund të miratohet sa hap e mbyll sytë. Duhet të forcohet roli dhe pesha e deputetit të zgjedhur nga populli në procesin ligjvënës, përballë qeverisë, por edhe përballë partisë së tij”, shkruan ai.
Bylykbashi propozon edhe reformimin e legjislacionit për referendumet, me qëllim që qytetarët të kenë mundësi më të mëdha për të vendosur drejtpërdrejt për çështje me interes publik.
Në nivel vendor, ai kërkon që kryetarët e bashkive të zgjidhen me mbi 50 për qind të votave, ndërsa këshilltarët bashkiakë të dalin nga lista të hapura.
Një tjetër pikë e propozimeve të tij është ndarja e shtetit nga partitë politike dhe krimi i organizuar. Bylykbashi kërkon ndalimin e patronazhimit politik përmes institucioneve shtetërore, transparencë të financimit të partive dhe një proces të ri dekriminalizimi.
“Ka ardhur koha për Dekriminalizim 2.0. Jo vetëm personat e dënuar për krime, por edhe ata që kanë lidhje të provuara me krimin e organizuar, që mbështeten prej tij apo kërkojnë mbështetjen e tij, nuk duhet të kenë mundësi të zgjidhen apo emërohen në institucione kushtetuese ose publike”, thekson nënkryetari i PD-së.
Ai propozon gjithashtu një proces verifikimi dhe pastrimi të Policisë së Shtetit nga drejtuesit dhe efektivët e përfshirë në veprimtari kriminale apo shkelje të të drejtave të qytetarëve, duke kërkuar që përgjegjësitë të përcaktohen individualisht dhe në përputhje me ligjin.
Në reagimin e tij, Bylykbashi ndalet edhe te nevoja për një drejtësi të pavarur, mbrojtjen e pronës private, kompensimin e ish-pronarëve, trajtimin e ish-të përndjekurve politikë, forcimin e lirisë së medias dhe krijimin e mundësive për përfshirjen e diasporës në zhv
