Një studim i ri shkencor ka nxjerrë në pah një mekanizëm natyror që mund të revolucionarizojë trajtimin e obezitetit, duke marrë frymëzim nga një prej krijesave më të pazakonta të natyrës, pitoni birman. Studiues nga Universiteti i Stanfordit, Universiteti i Kolorados Boulder dhe Kolegji i Mjekësisë Baylor kanë identifikuar një molekulë në gjakun e këtyre gjarpërinjve që ngadalëson oreksin në mënyrë natyrale.

Si funksionon mekanizmi
Molekula, e quajtur pTOS (para-tiraminë-O-sulfat), rritet ndjeshëm pas ushqimit dhe dërgon sinjale në tru që lidhen me ndjenjën e ngopjes. Ajo rrjedh nga tiramina, e prodhuar nga aminoacidi tirozinë – një përbërës i zakonshëm në ushqime të pasura me proteina si vezët, mishi i pulës dhe produktet e qumështit. Procesi nis në zorrë, ku bakteret e shndërrojnë tirozinën në tiraminë. Më pas, mëlçia e transformon këtë substancë në pTOS, e cila arrin në tru dhe aktivizon neuronet që kontrollojnë urinë dhe balancën energjetike. Kur këto neurone u çaktivizuan në eksperimente, efekti i uljes së oreksit u zhduk, duke konfirmuar rolin kyç të molekulës.

Zbulimi shkencor
Studimi, i publikuar në Nature Metabolism, analizoi pitonë që kishin agjëruar për rreth një muaj dhe më pas konsumuan një vakt që përbënte 25% të peshës së tyre trupore. Analizat zbuluan mbi 200 ndryshime kimike në gjak, por pTOS spikati pasi u rrit mbi 1,000 herë pas ushqimit.

Rezultatet në laborator
Testimet në kafshë laboratorike dhanë rezultate premtuese:
• Ulje e konsumit të ushqimit me rreth 18%
• Humbje peshe deri në 9% brenda një muaji
• Asnjë ndikim në nivelin e energjisë apo aktivitetin fizik
• Asnjë efekt anësor si të përziera apo neveri ndaj ushqimit
Për më tepër, molekula nuk ndikoi në parametrat kryesorë metabolikë si sheqeri në gjak, presioni i gjakut apo hormonet e urisë si ghrelina dhe leptina.

Çfarë do të thotë për njerëzit?
Të dhënat paraprake sugjerojnë se pTOS është e pranishme edhe tek njerëzit dhe rritet pas ngrënies, megjithëse në nivele më të ulëta. Interesant është fakti se tek personat me diabeti i tipit 2 ose prediabet, kjo rritje nuk u vu re, duke ngritur pyetje të reja për rolin e saj në shëndetin metabolik.
Ndryshe nga trajtimet aktuale si semaglutidi, që imitojnë hormonin GLP-1 për të krijuar ndjesinë e ngopjes, pTOS vepron drejtpërdrejt mbi neuronet e trurit që kontrollojnë oreksin, duke ofruar një qasje krejtësisht të re.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb