Janë miratuar me 100 vota pro ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, ndërsa kundër ka votuar deputeti Redi Muçi, nga Lëvizja Bashkë, votë që edhe e ka deklaruar pak para nisjes së votimit.
Ndërkohë 35 deputetë të pranishëm nuk kanë votuar.

Ndryshimet e dakordësuara mes PS dhe PD prekin mënyrën sesi do të funksionojë Kuvendi në raport me procesin e integrimit europian, kontrollin parlamentar, raportimin e institucioneve të pavarura dhe disiplinën e deputetëve.
Pika më e rëndësishme lidhet me forcimin e Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, i njohur politikisht si Komisioni “Xhafaj”. Ky komision merr tashmë një rol qendror në monitorimin e institucioneve të pavarura, ndjekjen e rezolutave të Kuvendit, zbatimin e strategjive dhe planeve të veprimit, si dhe kontrollin post-legjislativ.
Sipas ndryshimeve, institucionet e pavarura do të vijojnë të raportojnë në komisionet përgjegjëse parlamentare. Këto komisione do të hartojnë një projektrezolutë me vlerësime dhe rekomandime për vitin pasardhës, e cila më pas do t’i kalojë Komisionit “Xhafaj”. Ky i fundit do të shqyrtojë projektrezolutën, do të verifikojë zbatimin e rekomandimeve të vitit të kaluar dhe më pas do ta çojë dokumentin në seancë plenare.
Kjo ishte një nga pikat ku socialistët u tërhoqën nga propozimi fillestar. PS kishte kërkuar shmangien e plotë të raportimeve në seancë plenare të institucioneve të pavarura, por pas negociatave me opozitën u ra dakord që institucionet kushtetuese të vijojnë të paraqiten në Kuvend.
Mes dakordësive është edhe vendimi që seancat plenare të mos zgjasin më pas orës 22:00. Në rast se debati nuk përfundon, seanca do të ndërpritet dhe do të vijojë ditën tjetër.
Avokati i Popullit, Prokurori i Përgjithshëm, drejtuesi i KLP-së, drejtuesi i KLGJ-së, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit do të kenë të drejtë të paraqesin një përmbledhje të raportit në seancë për jo më shumë se 10 minuta dhe më pas t’u përgjigjen pyetjeve të deputetëve. Pyetjet duhet të depozitohen me shkrim të paktën 24 orë para seancës.
Një tjetër pikë e rëndësishme lidhet me ligjet e integrimit europian. Socialistët tërhoqën propozimin që çdo projektligj i kërkuar nga Bashkimi Europian të shqyrtohej brenda një jave me procedurë të përshpejtuar. Në variantin final, ligjet e integrimit do të kalojnë me procedurë normale, përveç rasteve kur qeveria kërkon procedurë të përshpejtuar me argumentim të posaçëm.
