Tirana po përjeton këtë mbrëmje protestën më të madhe të organizuar deri më tani, duke tejkaluar për nga pjesëmarrja tetë tubimet e mëparshme. Pas fjalimeve të mbajtura para Kryeministrisë, mijëra qytetarë nisën marshimin përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe në rrugët kryesore të kryeqytetit. Për të nëntën ditë radhazi shqiptarët janë në shesh dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Revolta qytetare është tanimë në nivele shpërthyese.

Pamjet nga terreni tregojnë një pjesëmarrje masive, ndërsa qytetarët vijojnë marshimin me flamuj kombëtarë, pankarta dhe thirrje kundër qeverisë. Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i qeverisë.

Ajo që bie më shumë në sy është fakti se protesta po zhvillohet pa incidente, pa dëmtime të pronës publike dhe pa përplasje me forcat e rendit. Në këtë aspekt, tubimi i sotëm paraqet një kontrast të fortë me disa nga protestat më të tensionuara të historisë politike shqiptare. Ndryshe nga ngjarjet tragjike të 21 Janarit 2011, kur protesta përfundoi me humbjen e jetës së katër qytetarëve dhe me përplasje të forta para Kryeministrisë, marshimi i sotëm po karakterizohet nga qytetaria, organizimi dhe pjesëmarrja paqësore.

Shumë prej pjesëmarrësve janë të rinj, të cilët mobilizimin e kanë realizuar kryesisht përmes rrjeteve sociale. Ky është një brez që kërkon ndryshimin përmes pjesëmarrjes qytetare, komunikimit online dhe presionit demokratik, duke u distancuar nga format e dhunshme, praktika këto të partive politike të vjetra.

Marshimi i mijëra qytetarëve në zemër të Tiranës po shihet si një shembull se si mund të ndërtohet një revoltë qytetare masive pa tensione dhe pa incidente.

Protestat janë kthyer në një nga ngjarjet më të komentuara të ditëve të fundit, ndërsa çdo ditë e më shumë sheshet po ushtojnë për dorëheqjen e Edi Ramës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb