Mediat në Shqipëri po kalojnë një periudhë të vështirë sa i takon përballjes me presionin qeveritar. Rasti më emblematik është rasti i televizionit “News24”, që më 9 gusht të vitit të kaluar u nxor me forcë nga ambientet e punës dhe u përball me represionin shtetëror.

Përfaqësuesi i “Reporterëve pa Kufij”, vuri theksin tek tek ndërhyrjen në televizionin “News24” dhe konfiskimin e dokumenteve të gazetarëve.

“Verën e kaluar ne vumë re shqetësime për sa i përket konfiskimeve të materialeve të gazetarëve të “Focus Media Group”. Gjykata urdhëroi që masa nuk ishte në proporcion me situatën dhe sot jo të gjithë gazetarëve u janë kthyer materialet e tyre”, u shpreh Pavol Szalai.

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Jorida Tabaku, pas takimit me përfaqësues të organizatës prestigjoze ndërkombëtare “Reporterët pa Kufij”, theksoi se rasti i “News24” u diskutua gjatë takimit.

Jorida Tabaku theksoi se sulmet ndaj mediave ndihmojnë qeverinë vetëm në forcimin e themeleve të kontrollit dhe autoritarizmit.

“Sulmi ndaj medias, intimidimi, bullizimi, anatemimi nuk ndihmon qeverinë të mbulojë as abuzimin, as korrupsionin. Sigurisht ndihmojnë për të forcuar një sistem që ka humbur balancën dhe kontrollin dhe po kthehet ne simbol autoritar”, u shpreh ajo.

Sipas Tabakut, në Shqipëria ka rënie në indeksin e lirisë së medias, e 83-ta, me rënie të treguesit social e politik dhe ligjor. Sipas saj, sa i takon treguesit të sigurisë së gazetarëve, shprehen shqetësime serioze për intimidimin verbal e politik ndaj gazetarëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb