Nga: MIMOZA KOÇIU*
Propozimi i ministrit të Mirëqenies Blendi Klosi për të bërë një ligj mbi vullnetarizmin në Shqipëri, nuk është një ide që duhet anashkaluar. Kjo për shkak të thelbit të saj, që individët të frymëzohen drejt akteve të angazhimit personal në dispozicion të publikes. Nuk ka një traditë vullnetarizmi në Shqipëri dhe si koncept na vjen nga e kaluara komuniste e të dielave “vullnetare”, por edhe e “punës vullnetare”, nënkupto “punë të detyruara”, që shkonin nga pastrimi i ambienteve publike e deri te ndërtimi i banesave, hekurudhave a hidrocentraleve. Brezi im i është nënshtruar këtij “vullnetarizmi”, kur lënda dyjavore e “punës prodhuese” në shkollë, shndërrohej në “zhveshje e mbledhje e kallinjve të misrit” me norma kooperative, një eksperiencë për t’u harruar, sepse realizimi i “normës” konvertohej me notën vlerësuese, që të ndikonte në mesataren e vitit shkollor, pavarësisht rezultateve të lëndëve të tjera. E ajo mesatare vendoste nëse do i hyje jetës universitare apo do i bashkoheshe klasës punëtore. Kjo eksperiencë, që besoj e kujtojnë ende jo pak shqiptarë, është burimi i qasjes apriori jo dashamirëse, sa herë aksione “vullnetarizmi” nisin nga institucione publike a organizata, e që kanë nga pas, edhe një projekt të financuar. Mbase një ditë e tillë do ndihmonte në ndryshimin e perceptimit mbi “nostalgjitë” jo pozitive të së kaluarës, por mënyra se si po propozohet vullnetarizmi, nuk jep shumë shpresa se do dalë nga klishetë e para viteve ‘90.
A mund të vendoset në ligj që qytetarët duhet të bëhen “vullnetarë” në një ditë të vitit? Për definicion, ligji është pjesë e tërësisë së rregullave e normave në shoqëri, që sipas kontratës sociale, nënkupton një imponim, një detyrim. Pra qytetarët shqiptarë do i kthejnë me detyrim sytë nga vullnetarizmi, një mënyrë të menduari e konsoliduar që në vitet e para të jetës së çdo individi, në vende të tjera që e kanë kthyer në traditë qytetarie.
E për të tejkaluar rolin e kritizeres, një sport popullor, që na e ka përvetësuar politika, e cila, edhe pse i ka mundësitë të veprojë aty ku identifikon problem, zgjedh rrugën më egoiste, duke e përdorur për betejën e ditës me rivalin pozitar a opozitar, do doja të ndaja me lexuesin, e pse jo edhe me Ministrinë e Mirëqenies, që e ka shpallur këtë ide, një model “vullnetarizmi” që ka nisur prej 8 vitesh në Izrael. Një popull që ka vuajtur gjatë, e që vazhdon të jetojë si në gjendje lufte, për shkak të historisë jo fort të largët, ka iniciuar në vitin 2007, Ditën e Punëve të Mira (Good Deed Day).
Bëhet fjalë për një ide të një zonje biznesmene e filantropiste të quajtur Shari Arison. E konceptuar si ditë kur bëhen vepra të mira në mënyrë vullnetare duke ndihmuar të tjerët. Një ide krejt e thjeshtë, sipas së cilës, çdo njeri mund të bëjë diçka të mirë për një ose disa të tjerë, një gjest sado të vogël, e rëndësishme është që t’u përmirësojë jetën të tjerëve e të ndryshojë pozitivisht botën. Të parët iu bashkuan qytetarë, nxënës shkollash, studentë, ushtarakë, nëpunës, biznesmenë e artistë. Një iniciativë që në Izrael ka 10 prillin si ditë fikse, e është huazuar tashmë nga mbi 60 vende të botës, si simbol tradicional i përvitshëm i punëve të mira për të tjerët. E kam përjetuar personalisht para pak vitesh, si një ditë të qetë e pa tamtame mediatike. Dita e Punëve të Mira është e ngjashme me filozofinë e Nënë Terezës, 12-vjetori i lumturimit të së cilës, frymëzoi idenë për një ligj për vullnetarizmin.
Nga viti në vit, sa herë përkujtohet shqiptarja e madhe Nënë Tereza, është befasuese se si te figura e saj gjejnë frymëzim për fjalime-hartime sipas rangut politikanët e këtij vendi. Në asnjë rast nuk na kanë befasuar me të kuptuarit e filozofisë së Nënë Terezës, se ajo që e bëri të njohur e të admiruar në mbarë botën, nuk ishin fjalët e bukura, apo lartësia e funksionit, por gjestet e saj, të vogla e të heshtura, që fuqinë e ndikimit e kishin jo te përmasa a zhurma publike, por te modeli i përulur që ofronte humanistja e madhe. Atë model që as nuk e çon ndërmend, se i ka mundësitë ta japë së pari klasa jonë politike, qoftë edhe për një ditë. Ditë pas dite, ajo na ofron përdhunshëm modelin më të shëmtuar të deformimit njerëzor e institucional, me gjuhën propagandistike, agresive, e shumë herë aspak etike.
Të njëjtët politikanë huazojnë fjalët e Nënë Terezës dhe marrin rolin e “mësuesit”, e predikojnë se të rinjtë duhet të ndjekin shembullin e saj në shoqëri. Vallë, politikanët nuk i kanë mundësitë a detyrimin të ndihmojë qytetarët e vet?
A nuk po marrin rrugën e kurbetit familje të tëra në këtë vend edhe pse nuk jemi në gjendje lufte? A nuk po burgosen kryefamiljarë për shkak se nuk shlyejnë dot detyrimin e energjisë elektrike? A nuk po përjetojmë secili ndërprerje të panjoftuara e të pasqaruara të energjisë elektrike edhe pse e paguajmë atë? A nuk po përcjellim ne si media raste të vrasjeve e vetëvrasjeve për shkak të varfërisë? A nuk po rritet edhe me shifra ndërkombëtare niveli i varfërisë në këtë vend? A nuk po përmbyten qytetarët sa në veri e jug, e papërgjegjshmërisht anashkalohet si dëm natyror, a thua se vetëm në Shqipëri bie shi? Si mund të mos ketë asnjë vendimmarrës të ndjeshëm në këtë vend, në nivel qendror apo lokal, që të reagojë, pasi prej tri ditësh qarkullon në media historia e një të moshuare 92-vjeçare që i janë prerë prej tre muajsh dritat, se jeton në skamje?
Vullnetarizmi nuk është çështje mundësish e për pasojë nuk mund të rregullohet me ligj. Është qartësisht çështje vullneti individual, së pari për të bërë një punë të mirë e së dyti për të përmbushur një detyrë që ke marrë përsipër. Natyrisht, kush ka marrë përgjegjësi publike i ka më të mëdha mundësitë, ngecja është vetëm te dëshira ose edukimi individual. Një model frymëzues edukimi është një mësuese në Izrael, që ka ndërtuar në klasë pemën e veprave të mira. Nxënësit i shtojnë gjethe, në të cilat shkruhet vepra e mirë, që kanë bërë gjatë javës. Një ide kaq e thjeshtë, që e bën krejt të natyrshëm gjestin edukues që në vegjëli.
Realiteti i sotëm shqiptar e ka më të nevojshme se kurrë këtë iniciativë, që së pari duhet të ngjallë ndjeshmërinë njerëzore, atë tiparin e harruar që e kemi zhytur në një skutë të largët dhe zëvendësuar me mosbesim, mungesë ndjeshmërie e agresivitet ndaj njëri-tjetrit. Kjo na bën që, pavarësisht mundësive, të dorëzohemi e të mos shohim të ardhme në këtë vend.
Me shoqërinë civile ende të dobët, iniciativa e nisur nga Ministria e Mirëqenies, do duhet të shkojë përtej një ligji të thatë, drejt ringjalljes së një mendësie që nuk ka qenë e huaj për ne. Duhet të përfshijë organizatat e shoqërisë civile e ministri të tjera, si atë të Arsimit për shembull, apo të Shëndetësisë. Orët e punës vullnetare në spitale e qendra shëndetësore janë një normalitet në Ditën e Punëve të Mira. Ndërsa puna në komunitet në përgjithësi është një plus i rëndësishëm në jetëshkrimin e çdo kandidati për student në universitetet jashtë Shqipërisë.
Shoqëria jonë, një reflektim i modelit të deformuar të politikës, ka nevojë për rikthim te solidariteti njerëzor, dhe veprat e mira, gjestet e vogla, pa dyshim që do i ndriçonin ditën dikujt në vështirësi. Edhe politika mund të bëjë jo pak punë të mira pa kosto: të reduktojë kohën e daljeve televizive, duke u kushtuar më shumë vëmendje punëve nëpër zyra, ato për të cilat kanë bërë shpenzime ekstra, që nga ngjyra e mureve dhe arredimi, e ku duket se nuk kalojnë shumë kohë. Më shumë punë për politikën do ishte kursim nga energjitë e shpenzuara për të ndërtuar me propagandë një realitet që nuk e besojnë as vetë.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: