Ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i presidentit amerikan Donald Trump, John Bolton, ka pranuar fajësinë për një akuzë që lidhet me mbajtjen e paligjshme të informacionit të klasifikuar, në kuadër të hetimeve për shënimet që ai përpiloi gjatë përgatitjes së librit të tij me kujtime.

Bolton, i cili fillimisht ishte deklaruar i pafajshëm për 18 akuza që lidhen me trajtimin e materialeve të klasifikuara, të premten pranoi fajësinë për një akuzë të vetme. Sipas prokurorëve, ai mbajti në mënyrë të paligjshme shënime ditari që përmbanin informacione të mbrojtjes kombëtare, disa prej tyre të klasifikuara në nivelin “tepër sekret”.

Si pjesë e marrëveshjes me prokurorinë, Bolton përballet me një dënim deri në pesë vite burg dhe ka pranuar të paguajë një gjobë prej 2.25 milionë dollarësh. Ai gjithashtu do t’u dorëzojë autoriteteve të sigurisë kombëtare materialet e klasifikuara që mbante dhe do të kryejë 100 orë shërbim në komunitet.

Gjatë seancës gjyqësore, Bolton pranoi se akuzat e ngritura ndaj tij ishin të sakta dhe shprehu keqardhje për veprimet e tij. Dënimi ndaj tij pritet të jepet më 28 tetor.

Bolton u largua nga administrata e parë e Donald Trump në vitin 2019. Një vit më vonë ai publikoi librin “The Room Where It Happened”, ku përshkroi përvojën e tij në Shtëpinë e Bardhë dhe kritikoi ashpër ish-presidentin, duke e portretizuar si të painformuar në çështjet e gjeopolitikës.

Publikimi i librit u kundërshtua nga Shtëpia e Bardhë, e cila pretendonte se përmbante informacione të klasifikuara, por kërkesa për bllokimin e tij u rrëzua nga gjykata. Më pas, Departamenti Amerikan i Drejtësisë hapi një hetim mbi trajtimin e materialeve të klasifikuara nga Bolton.

Sipas aktakuzës, ai akuzohej gjithashtu se kishte ndarë materiale të klasifikuara me dy anëtarë të familjes. Dokumentet gjyqësore përmendin edhe një incident ku një haker kishte arritur të depërtonte në llogarinë e tij, ku ruheshin dokumente të ndjeshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb