Televizioni shtetëror sirian raportoi se forcat e armatosura të Jordanisë kanë kryer sulme ajrore kundër rrjeteve të trafikimit të drogës në jug të Sirisë.

Sipas rrjetit Al-Ikhbariya, i cili citoi burime përmes Telegramit, objektivat e goditura ishin depo të trafikimit të drogës në provincën Suwayda, kryesisht në zonat jugore dhe lindore të saj.

Nga ana tjetër, shtabi i përgjithshëm jordanez në Aman deklaroi se operacionet po zhvilloheshin përgjatë kufirit verior të Jordanisë, duke shënjestruar objekte “të përdorura nga trafikantët e armëve dhe drogës” si baza për aktivitetet e tyre drejt territorit jordanez.

Një banor i Suwaydës, që jeton pranë kufirit me Jordaninë, i tha AFP-së në kushte anonimiteti se kishte dëgjuar “shpërthime jashtëzakonisht të forta” që, sipas tij, kishin në shënjestër rrugët e kontrabandës.

Forcat e armatosura jordaneze njoftuan se objektet e goditura ishin “shkatërruar” në “koordinim me partnerët rajonalë”, duke shtuar se ishte “neutralizuar një numër i caktuar trafikantësh armësh dhe droge” që po përgatisnin operacione kontrabande drejt Jordanisë.

Gjatë luftës civile siriane (2011–2024), Captagon — një stimulues i paligjshëm me efekt të ngjashëm me amfetaminën — u kthye, sipas raportimeve, në produktin kryesor të eksportit ilegal të Sirisë. Kundërshtarët e regjimit të mëparshëm e kanë akuzuar qeverinë e Bashar al-Assad se e shndërroi vendin në një “narko-shtet”, duke përdorur trafikun e drogës si burim financiar.

Pas rrëzimit të ish-presidentit Assad një vit më parë, autoritetet e reja de facto njoftuan se kishin zbuluar sasi të mëdha Captagon-i në depo dhe objekte të mëparshme ushtarake. Në prill, Jordania deklaroi se kishte kapur një dërgesë me origjinë nga Siria dhe kishte sekuestruar “qindra mijëra” pilula.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb