Enea Jorgji konsiderohet sot nga shumë specialistë si arbitri më cilësor i kampionatit shqiptar. Jo i pagabueshëm, por gjithsesi me cilësi të shkëlqyera dhe me gatishmërinë për t’u përmirësuar vazhdimisht. E, megjithatë, ai nuk i shpëtoi dot “ciklonit” të kritikave në “Elbasan Arena” për ndeshjen Partizani-Skënderbeu 0-0.

Normalisht, duke zbatuar edhe rregulloren e brendshme të sektorit të arbitrimit nuk duhej të fliste, por duke parë dinamikën e ngjarjeve dhe përmasat që mori situata, sektori i arbitrimit vendosi të bënte një përjashtim, duke e lejuar kryesorin që të mund të flasë për mediat dhe të japë versionin e tij. Jorgji pohon në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” se e toleroi Torrasën në rastin e ndërhyrjes ndaj Latifit, por thotë edhe se nuk u ndihmua nga lojtarët në fushë për të shmangur tensionimin e situatës. Shpeshherë tifozë të ndryshëm e kanë “etiketuar” si arbitri i Skënderbeut, por e ka një përgjigje racionale për këtë dhe mohon t’i ketë favorizuar ndonjëherë korçarët.

A e keni riparë ndeshjen e Elbasanit dhe, nëse po, çfarë mendoni tani?
Nëse i referoheni rastit të Torrasës, atëherë po ju them se pati një ndërhyrje të tij në dëm të Latifit. Është një ndërhyrje me intensitet të moderuar. Intensiteti i ndërhyrjes së këmbëve të Torrasës, nuk ishte i njëjtë me atë të Kalarit, pasi ai prek fillimisht topin, paçka se më pas me kërcinjtë e tij prek ato të Latifit.

Po kartoni i verdhë qëndronte?
Po, qëndronte! Por duhet të hyjmë pak edhe në psikologjinë e ndeshjes. Dua të them se m’u duk pak e tepërt që për dy minuta të lija me 9 lojtarë Partizanin. Prandaj në limitet, por ama në limitet e të lejuarit, edhe ne i përshtatemi lojës dhe dinamikës së saj. E bëjmë këtë rrallëherë për të mos e çuar dëm në tërësi ndeshjen.

Po ndërhyrja e Vangjelit ndaj Torrasës?
Ndërhyrja e Vangjelit është jo e qëllimshme, sepse ai kërkon të luajë topin me kokë, ndonëse në pozicion jo normal. Dhe, në pamundësi për ta bërë këtë gjë, ai pengon Torrasën. Duke qenë se Kristi Vangjeli e kishte një karton të verdhë, sipas rregullave të futbollit, e kemi rreptësishtë të ndaluar që të japim avantazhe të tilla, përjashtuar rastet kur kemi të bëjmë me një mundësi të pastër shënimi goli. Në këtë rast nuk kishim të bënim me një rast të pastër goli dhe duhej akorduar me patjetër faull dhe karton i dytë për Vangjelin. Ndonjëherë janë edhe lojtarët ata që e ndihmojnë arbitrin, pasi me sjelljet e tyre korrekte dhe duke pranuar me qetësi vendimet ndihmojmë në mostensionimin e situatës.

A ndodhi kjo në Elbasan?
Ndeshjet kanë specifika të ndryshme, kjo nuk mund të krahasohet me ndeshjet e zakonshme të kampionatit. Edhe trysnia natyrisht që ishte më e madhe. Mënyra për ta kërkuar rezultatin reflektohet në çdo formë. Ndonjëherë lojtarët refuzojnë edhe të pranojnë vendimet e drejta dhe padashur cenojnë edhe ndeshjen. Rasti i tillë ishte ai i Kalarit. Nuk u përpoq për asnjë sekondë të pranonte dhe të gjykonte me gjakftohtësi vendimin që mora, edhe pse ai ishte vendim i drejtë. U munduan që të gjithë që atë situatë që u krijua ta kthenin në “bumerang” kundër meje dhe të përfitonin më pas, aq sa ata besojnë se mund të përfitojnë, por e kanë gabim.

Sa herë ju ka ndodhur kjo, pra që lojtarët përpiqen t’i kthejnë situatat në “bumerang”?
Nuk ndodh shpesh dhe mendoj se ishte rast i veçuar. Nëse më lejohet të shprehem kështu, ndoshta pati një “pakt” nga ata për ta bërë një gjë të tillë, por nuk ka për të ndodhur më. Ishte thjesht episod. Kushdo që e ka parë, nuk i ka ardhur mirë atë që ndodhi.

Sa herë ju ka ndodhur që pas një ndeshjeje, pasi keni ndëshkuar një lojtar, trajner, apo zyrtar, t’u vijë edhe t’ju kërkojë ndjesë e t’ju japë dorën?
Jo shpeshherë. Ka ndodhur ndonjëherë, pasi jemi takuar sërish, pra kanë ardhur para ndeshjes edhe më kanë kujtuar herën e fundit që i kam ndëshkuar, por fatkeqësisht ata edhe në atë ndeshje kanë qenë jo korrekt. Kjo më ka lënë një shije jo të mirë.

A keni menduar ndonjëherë që në ndeshje të caktuara të kërkoni nxjerrjen jashtë të një grupi tifozësh, apo qoftë edhe të ndonjë tribune që e ka tejkaluar me sjelljet e rënda?
Jo, asnjëherë. E them këtë sepse futbolli për ata tifozë luhet. Nëse i nxjerrim jashtë, atëherë cenojmë edhe misionin e tij.

Ju bezdis fakti që në të kaluarën, por edhe tani kur ju arbitroni një ndeshje të Skënderbeut disa njerëz thonë: “ky është arbitri i Skënderbeut…”?
Thuajse çdo vit ka pasur paragjykime të tilla ndaj meje dhe kohët e fundit ndoshta për Skënderbeun… Por po ju them se është absolutisht e pavërtetë dhe janë paragjykime të rëndomta. Po ju them se edhe në vitet e kaluara, kur kjo gjë lakohej edhe në media, mendoj se ishte një abuzim i madh. E them këtë sepse kur njerëzit më cilësonin si një arbitër pro Skënderbeut, unë ndërkohë nuk kisha arbitruar gjatë gjithë vitit më shumë se sa dy herë Skënderbeun… Besoj se llogaritë janë të qarta. Por, më vjen keq, pa dyshim që emrit tim i faturoheshin paragjykime të shitura si të vërteta.

Çfarë ju acaron më tepër gjatë një ndeshjeje?
Nuk e them dot me saktësi, por ndoshta një gjë është fakti që unë gjatë një ndeshjeje komunikoj me një futbollist dhe i tërheq vëmendjen të jetë i kujdesshëm sepse po i kalon limitet. Ajo që më bezdis më pas është që ai nuk merr parasysh asgjë nga ato që thotë dhe sillet po njësoj, ose më keq dhe kur unë e ndëshkoj me të verdhë ai reagon prapë keq. Aty e kuptoj që nuk po flas me një lojtar apo një njeri, por me një trup që ka marrë disa komanda dhe vepron thjesht mekanikisht. Nuk bën dot ndryshe…

A ju vë në siklet fakti që shpesh ju cilësojnë si arbitrin më të mirë të momentit?
Unë jam përpjekur që deri këtu ku jam të mbërrij me punë. Kënaqësia e të qenit këtu ku jam, është e madhe dhe po ju them se nuk është ky objektivi final. Jo, objektivi është që performanca e arritur dhe besimi i krijuar të mund të konsolidohen. Por nuk është e thjeshtë. Nuk është e vështirë të mbërrish në majë, por është e vështirë të komandosh nga maja.

A ju kanë ofruar ndonjëherë para për një ndeshje?
Jam i mendimit që gjyqtarët nuk korruptohen, por ka persona që përpiqen që t’i bëjnë për vete arbitrat duke iu ofruar diçka. Për mua, këto janë kohë të largëta dhe tani nuk e kam më këtë ndjesi nga ana e presidentëve. U bënë shumë vite që arbitroj në Superiore dhe më duhet të them se në vitin e parë ose maksimumi deri në të dytin kam pasur telefonata nga presidentët. Edhe më kanë ofruar para, por që synimet e mia kanë qenë të tjera dhe jo të merrja përfitime që nuk më takojnë. Tani nuk e ndiej më këtë lloj sikleti nga presidentët.
(ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: