Nis pas pak protesta e 32-të kundër qeverisë dhe ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Një grup studentësh zhvilloi dy ditë më parë një aksion simbolik në godinën e Universitetit Politeknik të Tiranës, ku shpalosën një banderolë gjigante me mbishkrimin: “Ju erdhi fundi! Shqipëria nuk është në shitje.”

Në një prononcim për News24, studentët shpjeguan arsyet e zgjedhjes së godinës së Politeknikut për këtë aksion.
“Përveç pozicionit që universiteti ka përballë Kryeministrisë, që banderola të dukej qartë, Politekniku është edhe simbol i universiteteve në të gjithë vendin”, u shpreh një prej studentëve.

Një tjetër student tha se të rinjtë kanë shumë arsye për të protestuar, duke përmendur problematikat në sistemin arsimor.
“Kemi pafund arsye për të protestuar. Vetë studioj në universitet privat, sepse në shtet nuk ishte as minimumi i kurrikulave që unë kërkoja. Nuk ka nevojë të lodhesh shumë për të gjetur arsye se pse kësaj qeverie i ka ardhur fundi”, deklaroi ai.

Studentët treguan gjithashtu se grupi i tyre është krijuar spontanisht gjatë protestave dhe se synojnë të zgjerojnë pjesëmarrjen.
“Si fillim ishim një grup i vogël që u njohëm rastësisht në protestë, por arritëm të mblidhnim të tjerë dhe u bashkuam përmes pankartave. Për momentin jemi një grup prej rreth 50-60 personash dhe synojmë të rritemi edhe më shumë”, u shpreh një studente.

Sipas saj, qëllimi i grupit është mbrojtja e të drejtave të studentëve dhe vazhdimi i protestave deri në arritjen e objektivave.
“Studentët kërkojnë të drejtat e tyre. Do të vijojmë të jemi në protestë deri në arritjen e qëllimit, sepse kjo ishte arsyeja e vërtetë që na bëri bashkë. Ne nuk kemi frikë. Siguria në vetvete dhe dinjiteti që meritojmë na bëjnë të qëndrojmë dhe të mos largohemi”, tha ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb