Ish-Presidenti Ilir Meta pas publikimit të një dokumenti nga Autoriteti i Dosjeve, ku pretendohet në dosje se emri i skeduar nga ish-Sigurimi i Shtetit me inicialet I.M. është ai, ka dalë në një konferencë me gazetarët.

Meta tha se askush nuk e ka penguar Autoritetin që të hetojë edhe në kohën kur ishte Kreu i Shtetit, ndërsa akuzoi se ky është një sulm politik i orkestruar nga Edi Rama.

“Nuk ka më Autoritet Dosjesh. Kush i ka penguar ata të verifikojnë. Dakord ishte president ndoshta, po as atëherë nuk i ka ndaluar.

Ata i dinë shumë mirë se kush është I.M. dhe për këtë lojë që po hapin do ta mbajnë ata përgjegjësinë. Për fëmijët e mi ata s’kanë asnjë përgjegjësi, po rata kanë dëgjuar gjëra shumë të rënda jo vetëm për babin por edhe për mamanë. Autoriteti i Dosjeve, po përdoret si instrument për dezinformim dhe ushqim propagandistik që të kalojë Edi Rama nja dy muaj, sa të kalojë ligjin jo po I.M., këtu e atje. Nuk ka asnjë histori me I.M.”, tha Meta.

I pyetur nëse e di se kush është I.M. i vërtetë dhe përse ky dokument është bërë publik pas shpalljes së Partisë së Lirisë nga ana e tij, Meta tha se Autoriteti duhet të dali dhe të publikojë faktet.

Ai gjithashtu e konsideroi këtë institucion si Autoriteti i 17 Majit duke lënë të nënkuptuar për një pakt Rama-Basha kundër tij dhe ish-kryetares së LSI, Monika Kryemadhi, për të cilën theksoi se e prenë në besë.

“Po s’ka nevojë për ligj për këtë rast. Autoriteti t’i publikojë që sot. Pse mos ta ndryshoje Parlamenti, të merret me çështjen e detit me të gjitha shkeljet që ka bërë Edi Rama. Të filloj unë me e-mail-et nga Nju Jorku thoni ju që unë i kam me emrat. Autoriteti të dali që sot të thotë e kemi këto fakte dhe s’ka nevojë fare të dali Parlamenti. U është qep Monika nuk ju ndahet më, se u bënë të dy bashkë ata, e prenë në besë. Se këtë Autoritetin e 17 Majit të dy e bënë. Dhe kujtojnë këta se me deklarata të tilla po frikësojnë Ilir Rexhep Metajn që të tërhiqet nga Revolucioni Antikorrupsion. Asnjë komunikim nuk kam pasur unë me Autoritetin e Dosjeve. Se përderisa del ajo pula e kuvendit këtu, e u thotë shqiptarëve ne do zbulojmë I.M.. Turp i madh. Faqja e Zezë. Po a kanë dinjitet këta njerëz apo s’kanë”, deklaroi Meta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb