Presidenti amerikan Donald Trump ka komentuar zgjedhjet e ardhshme, duke u bërë thirrje mbështetësve të tij që ta trajtojnë situatën sikur ai të jetë kandidat në garë.

“Bëni sikur po kandidoj, ju lutem. Thjesht bëni sikur, sepse unë jam në fletëvotim”, u shpreh Trump. Më tej, presidenti amerikan paralajmëroi se në rast të një humbjeje, kundërshtarët e tij mund të tentojnë të nisin një procedurë shkarkimi ndaj tij.

“Nëse nuk fitojmë, ata do të përfundojnë duke më shkarkuar përmes procedurës së impiçmentit”, deklaroi ai.

Impiçmenti është një procedurë kushtetuese për akuzimin e një presidenti dhe nuk nënkupton automatikisht largimin e tij nga detyra. Procesi nis në Dhomën e Përfaqësuesve, ku zhvillohet hetimi dhe votohet nëse do të ngrihen zyrtarisht akuzat. Nëse ato miratohen, çështja i kalon Senatit, i cili zhvillon gjykimin.

Për shkarkimin e presidentit nga detyra nevojitet që dy të tretat e senatorëve të votojnë për dënimin. Pra, Dhoma e Përfaqësuesve mund të ngrejë akuzat përmes procesit të impiçmentit, ndërsa vendimi përfundimtar për shkarkimin merret nga Senati.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb