Lideri i opozitës, Sali Berisha ka shpjeguar arsyet e asaj që ai e quan mbrojtje që kryeministri Edi Rama po i bën Belinda Ballukut. Kreu i PD tha se një gjë e tillë është pasojë e presionit që zëvendëskryeministrja po i bën shefit të saj, për shkak, sipas tij, të aferave të përbashkëta korruptive.

Në një reagim të postuar në FB, të titulluar: “Më mirë e penduara e Sovranit se e penduara e Dumanit,” Berisha shkruan se Balluku ka kërcënuar Ramën dhe gjithë kupolën shtetërore se do t’i marrë me vete, në rast se ata nuk e mbrojnë.

Berisha foli edhe për prapaskenat e takimit 7-orësh të zhvilluar në Kryeministri mes Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, pasi GJKKO e pezulloi nga detyra. Lideri i opozitës thotë se fillimisht Rama i ka kërkuar asaj dorëheqjen, ndërsa në kundërpërgjigje, Balluku e ka kërcënuar me mesazhe dhe video që implikojnë shefin e qeverisë në aferën e tunelit të Llogarasë.

Sipas kreut demokrat, këto janë arsyet pse kryeministri po zhvillon një betejë institucionale dhe po i bën presione Gjykatës Kushtetuese, duke u kthyer në avokatin e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Reagimi i liderit të opozitës erdhi pasi kryeministri Edi Rama, gjatë podcast-it të tij, mori sërish në mbrojtje Belinda Ballukun.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb