Në një konferencë për shtyp të mbajtur në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, bëri të ditura masat e ndërmarra pas bllokimit të aksit rrugor Librazhd–Elbasan.
Ai sqaroi se, për të siguruar vijimësinë e shkëmbimeve tregtare, mallrat po devijohen përmes pikave kufitare të Bllatës, për hyrjet nga Maqedonia e Veriut, dhe Kakavijës, për hyrjet nga Greqia. Sipas Bejës, është shtuar gjithashtu numri i punonjësve në këto pika për të përballuar fluksin e shtuar.
Sa i përket mallrave të mbetura të bllokuara në Qafë-Thanë, ai bëri me dije se do të zbatohet regjimi i Transitit të Jashtëm (T1), i cili mundëson devijimin e tyre drejt Bllatës përmes një procedure të përshpejtuar.
Beja pranoi se kjo situatë sjell kosto shtesë për bizneset, por theksoi se administrata doganore është e angazhuar për të zbutur sa më shumë ndikimin financiar dhe për të garantuar funksionimin normal të tregtisë deri në rikthimin e qarkullimit në aksin e bllokuar.
Deklarata:
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, deklaroi sot se, pas bllokimit të lëvizjes në aksin Librazhd–Elbasan dhe anasjelltas, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka marrë menjëherë masa konkrete për të garantuar vijimësinë e qarkullimit të mallrave dhe kryerjen e formaliteteve doganore.
Që në momentin e krijimit të situatës, strukturat doganore kanë trajtuar me prioritet shqetësimin e bizneseve dhe pezullimin e përkohshëm të lëvizjes së mallrave dhe udhëtarëve. Për të shmangur pengesat në procedurat doganore, janë orientuar alternativa të reja lëvizjeje përmes pikave kufitare:
• Bllatë (Dibër), për mallrat që hyjnë nga Republika e Maqedonisë së Veriut apo përmes saj;
• Kakavijë, për mallrat që hyjnë nga Greqia apo përmes saj.
Janë ndërmarrë masa për përforcimin e kapaciteteve logjistike dhe shtimin e personelit në degët kufitare Bllatë dhe Kakavijë, me qëllim përballimin e fluksit të shtuar dhe përshpejtimin e procedurave, deri në normalizimin e situatës rrugore.
Në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet homologe të Republikës së Maqedonisë së Veriut, është siguruar mirëkuptim i plotë për lehtësimin e qarkullimit. Pala maqedonase do të mundësojë në pikën e Bllatës:
• Kalimin e kamionëve dhe trajlerave të ngarkuar nga ora 12:00–22:00;
• Kalimin 24 orë të mjeteve pa ngarkesë;
• Kalimin e produkteve agro që kërkojnë certifikim.
Po ashtu, Dogana shqiptare vijon kontaktet edhe me palën kosovare për të mundësuar lehtësime të mëtejshme në hyrje-daljet e mjeteve dhe mallrave.
Sa i përket mallrave që kanë hyrë tashmë në territorin doganor shqiptar përmes Qafë-Thanës dhe ndodhen në aksin e bllokuar apo në ambientet doganore, zgjidhja teknike e ofruar është përdorimi i regjimit të Transitit të Jashtëm (T1), sipas Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë. Ky regjim lejon tranzitimin e mallrave nga një pikë doganore në një tjetër, përmes një territori jashtë territorit doganor shqiptar.
Konkretisht, operatorët duhet të depozitojnë deklaratën doganore T1 në degën doganore Qafë-Thanë, me destinacion Bllatën (Dibër), si dhe të hartojnë një dokument transporti (CMR) për itinerarin e ri.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është e vetëdijshme për kostot shtesë që kjo situatë sjell për operatorët ekonomikë, si dhe për ndikimin në proceset e import-eksportit. Megjithatë, të gjitha strukturat janë angazhuar maksimalisht për të minimizuar pasojat dhe për të garantuar funksionimin sa më normal të aktivitetit tregtar.
Dogana do të vijojë të informojë në kohë reale publikun dhe komunitetin e biznesit për çdo zhvillim apo lehtësi të re.
